Pas revoltës popullore për korrupsion dhe varfëri, presidenti i Madagaskarit zhduket nga vendi: Jam në vend të sigurt

Pas revoltës popullore për korrupsion dhe varfëri, presidenti i Madagaskarit zhduket nga vendi: Jam në vend të sigurt

Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, ka deklaruar se është strehuar në një “vend të sigurt”, pasi ndaj tij është bërë një tentativë për atentat, në mes të protestave masive që kërkojnë dorëheqjen e tij.
Në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në Facebook, 51-vjeçari Rajoelina tha se “një grup ushtarakësh dhe politikanësh kanë planifikuar të më vrasin”. Ai nuk e bëri publike vendndodhjen e tij, ndërsa disa raporte të pakonfirmuara sugjeronin se presidenti ishte larguar nga vendi me një avion ushtarak francez.
Ngjarja vjen pas dy javësh protestash mbarëkombëtare, të udhëhequra kryesisht nga të rinj që kërkojnë largimin e tij nga pushteti.

Përpjekjet e Rajoelinës për të qetësuar protestuesit – të njohur si “Gjenerata Z Mada” – kanë dështuar. Ai shkarkoi qeverinë dhe bëri disa lëshime politike, por pa rezultat. Presidenti nuk është parë publikisht që nga e mërkura, ndërsa zyrtarë nga kabineti i tij kanë pranuar se po bëhen përpjekje për ta detyruar të largohet nga pushteti.

Fjalimi i tij u shty disa herë të hënën për shkak të tensioneve, pasi ushtarë kërcënuan të pushtonin televizionin shtetëror. Në fund, gjatë transmetimit në Facebook, ai tha:

“Që nga 25 shtatori, ka pasur atentate ndaj jetës sime dhe përpjekje për grusht shteti. Një grup ushtarakësh dhe politikanësh planifikuan të më vrisnin. U detyrova të gjeja një vend të sigurt për të mbrojtur jetën time.”
Ai shtoi se “ekziston vetëm një mënyrë për ta zgjidhur krizën – respektimi i kushtetutës në fuqi”.

Gjatë fundjavës, njësia e fuqishme ushtarake CAPSAT – e cila dikur ndihmoi Rajoelinën të vinte në pushtet në vitin 2009 – shpalli veten komandë të të gjitha forcave të armatosura. Disa oficerë të saj iu bashkuan protestuesve në rrugët e kryeqytetit Antananarivo.

Pas një takimi të komandantëve të ushtrisë, gjenerali Demosthene Pikulas, i emëruar nga CAPSAT si shef i ri i shtabit, deklaroi se forcat e sigurisë po punojnë së bashku për të ruajtur rendin.
Sipas presidencës, ai ndodhej në selinë e televizionit shtetëror për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës.

Një zyrtar i opozitës nga partia TIM tha për BBC-në se “Madagaskari tani, në mënyrë efektive, po drejtohet nga ushtria”. Partia njoftoi se do të nisë procedurat për shkarkimin e presidentit për “braktisje të postit”.

Ndërkohë, disa anëtarë të rrethit të ngushtë të Rajoelinës janë larguar drejt Mauritiusit, përfshirë ish-kryeministrin Christian Ntsay dhe biznesmenin Maminiaina Ravatomanga.

Pavarësisht pasurive të mëdha natyrore, Madagaskari mbetet një nga vendet më të varfra në botë.
Sipas Bankës Botërore, rreth 75% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, ndërsa vetëm një e treta ka akses në energji elektrike.

Protestat nisën për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të ujit dhe energjisë elektrike, por shpejt u shndërruan në demonstrata kundër papunësisë, korrupsionit dhe krizës së kostos së jetesës.
Sipas OKB-së, të paktën 22 persona janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur, megjithëse qeveria i mohon këto shifra.
Dëshmitarë raportuan se forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj protestuesve me municion të vërtetë, ndërsa në një rast një foshnjë humbi jetën nga thithja e gazit lotsjellës.

Madagaskari ka përjetuar disa kriza që nga pavarësia në vitin 1960. Në vitin 2009, protesta masive detyruan presidentin Marc Ravalomanana të jepte dorëheqjen, duke i hapur rrugën Rajoelinës për të marrë pushtetin.

Vetëm 34 vjeç në atë kohë, ai u bë udhëheqësi më i ri në Afrikë. Pas katër vitesh në krye të vendit, ai u rikthye në pushtet në zgjedhjet e vitit 2018.
I lindur në një familje të pasur, Rajoelina u bë i njohur si sipërmarrës dhe DJ, duke krijuar një stacion radiofonik dhe një kompani reklamash.

Megjithatë, imazhi i tij i ri dhe modern është zbehur nga akuzat për korrupsion dhe favorizim politik.

MARKETING