Odegaard jashtë deri pas pushimit të nëntorit, një goditje për Arsenalin dhe Artetën

Kapiteni i Arsenalit, Martin Odegaard, do të mungojë në ndeshjet vendimtare të skuadrës londineze deri pas pushimit ndërkombëtar të nëntorit, për shkak të një dëmtimi në ligamentin medial kolateral, të pësuar më 4 tetor gjatë ndeshjes kundër West Ham.
Mesfushori norvegjez, 26 vjeç, u detyrua të largohej nga loja që në pjesën e parë të asaj ndeshjeje dhe prej asaj kohe ka qëndruar jashtë fushave.Si pasojë, ai ka humbur disa ndeshje të rëndësishme në Ligën Premier dhe në Ligën e Kampionëve, përfshirë ato kundër Fulham, Crystal Palace, Burnley, Sunderland, Atletico Madrid dhe Slavia Prague.
Kjo mungesë përfaqëson një goditje të madhe për trajnerin Mikel Arteta, duke marrë parasysh rolin vendimtar të Odegaard në organizimin e lojës së Arsenalit.
Fillimi i sezonit 2025/26 ka qenë i trazuar për mesfushorin norvegjez, i cili është larguar nga fusha në pjesën e parë të tre ndeshjeve radhazi për shkak të problemeve fizike.
Pjesëmarrja e tij në derbin e shumëpritur të veriut të Londrës kundër Tottenham, që zhvillohet më 23 nëntor, mbetet ende në dyshim.
Ndërkohë, përfaqësuesja norvegjeze, të cilën Odegaard e udhëheq si kapiten, ka bërë hapa të mëdhenj drejt kualifikimit në Kupën e Botës 2026, duke shënuar një fitore bindëse 5-0 ndaj Izraelit në ndeshjen e fundit kualifikuese. /