Rusia mbështet Samitin e Gazës në Egjipt

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov tha se vendi i tij mbështet Samitin e Gazës në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, duke thënë se Moska pret që të gjitha marrëveshjet e arritura në takim të zbatohen dhe duke i nxitur të gjitha palët të sigurojnë armëpushim të menjëhershëm, transmeton Anadolu.
“Ne i urojmë sinqerisht sukses samitit të sotëm në Sharm el-Sheikh, ku po marrin pjesë më shumë se 20 vende nga bota arabe dhe disa shtete perëndimore”, u tha sot Lavrov gazetarëve nga vendet arabe në Moskë.
Ai tha se Rusia shpreson që marrëveshjet të zbatohen, duke vënë në dukje se “si Hamasi ashtu edhe Tel Avivi” kanë bërë deklarata që sugjerojnë se kriza mund të ndizet përsëri.
“Besoj se është thelbësore që ata që iniciuan këtë forum, së pari dhe më kryesorja presidenti Trump, me mbështetjen e presidentit egjiptian si dhe udhëheqjes së Katarit dhe Turqisë, të përqendrohen në nevojën për armëpushim të menjëhershëm, respektimin e tërheqjes së rënë dakord të trupave izraelite nga Gaza, vendosjen e ndihmës humanitare dhe restaurimin e këtij vendi të bukur në Tokë”, tha Lavrov.
“Rusia nuk do të refuzonte pjesëmarrjen në proces nëse kërkohet nga pjesëmarrësit e samitit, por nuk do të imponojë veten e saj”, tha kryediplomati rus.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi sot se lufta e Izraelit në Rripin e Gazës ka mbaruar zyrtarisht, pak pasi Hamasi përfundoi lirimin e të 20 pengjeve izraelite sipas marrëveshjes së armëpushimi prej 20 pikash.
Marrëveshja, e cila përfshin edhe lirimin e 1.968 të burgosurve palestinezë, u ndërmjetësua me pjesëmarrjen e Egjiptit, Katarit dhe Turqisë.