Trump: Turqia ishte fantastike, presidenti Erdoğan ndihmoi shumë për armëpushimin në Gaza

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump të dielën vlerësoi rolin e Turqisë në përpjekjet për të siguruar marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës, duke e përshkruar presidentin Recep Tayyip Erdoğan si “fantastik” dhe duke theksuar ndikimin e Ankarasë në rajon, transmeton Anadolu.
“Turqia ishte fantastike. Presidenti Erdoğan ishte fantastik. Ai ndihmoi shumë, sepse është shumë i respektuar. Ai ka një komb shumë të fuqishëm. Ai ka një ushtri shumë, shumë të fuqishme. Dhe ai ndihmoi shumë”, u tha Trump gazetarëve gjatë rrugës për në Lindjen e Mesme përpara një konference ndërkombëtare paqeje mbi armëpushimin në Gaza.
Ai tha se Katari ndihmoi me marrëveshjen, duke e quajtur Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, një “njeri të mrekullueshëm”.
“Vendi i tij është pikërisht në mes të gjithçkaje, më shumë se çdo vend tjetër, më shumë se Emiratet e Bashkuara Arabe, ku duhet të fluturosh një orë e gjysmë për të arritur atje, më shumë se Arabia Saudite, ku duhet të fluturosh një orë e gjysmë për të arritur atje”, tha Trump duke shtuar se “Katari duhet të fillojë të marrë disa merita”.
Presidenti amerikan renditi gjithashtu disa vende të tjera që sipas tij, luajtën rol në negociatat për armëpushim, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Indonezinë dhe Jordaninë.
Komentet e Trumpit erdhën ndërsa ai u nis për në Izrael, ku pritet të takohet me familjet e pengjeve izraelite dhe të flasë në parlamentin izraelit, Knesset. Ai më vonë do të udhëtojë në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, ku do t’u bashkohet udhëheqësve botërorë në Samitin e Paqes sot në Sharm el-Sheikh.
Samiti, i bashkëkryesuar nga Trump dhe presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, synon “t’i japë fund luftës në Rripin e Gazës, të rrisë përpjekjet për të sjellë paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme dhe të sjellë fazë të re të sigurisë dhe stabilitetit rajonal”, sipas Kajros.
Presidenti Erdoğan do të marrë pjesë në samit me ftesë të Sisit dhe Trumpit, njoftoi në mediat sociale të dielën Drejtori i Komunikimit të Turqisë, Burhanettin Duran.