Bardhi dhe Musliu: Ishte ndeshje e vështirë, të kënaqur me një pikë

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll kthehet me një pikë nga Genti, pasi barazoi pa gola me Belgjikën në duelin shumë të vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2026. Futbollistët e Maqedonisë luajtën në mbrojtje dhe ishin nën presion gjatë 90-të minutave, ku përfaqësuesja belge dominoi totalisht me raste të krijuara në portën e Stole Dimitrievskit, por ky i fundit ishte në disponim për lojë, duke mbajtur rrjetën të paprekur dhe së bashku me ekipin përfaqësues të vendit arritën që të marrin një pikë shumë të vlefshme.
Enis Bardhi, kapiten
“Ishte një ndeshje nga më të vështirat që kemi luajtur deri më tani, ndaj një Belgjike shumë të motivuar. Ishim të gjithë bashkë, në disa momente edhe Stole ishte protagonist, mbrojtja gjithashtu , Musliu e Zajkov, të gjithë ishim në nivel. Besoj që kjo pikë do të na ndihmojë të vazhdojmë të jemi të parët në grup. Në fund të fundit kemi ardhur këtu, e kemi ditur se Belgjika i ka futbollistët cilësor, kemi prit këtë presion, kësi lloj atmosfere, por në fund me një pikë besoj që jemi të kënaqur”.
Visar Musliu, futbollist
“Prisnim një ndeshje të vështirë këtu në Belgjikë. Nuk është që nuk mendonim që Belgjika do të dominonte aq shumë dhe gjatë gjithë ndeshjes, por disiplina dhe angazhim ynë maksimal, dhe pak fati sportiv, që ishte në anën tonë, e bëri që rezultati të përfundojë me 0-0”.
Bardhi dhe Musliu gjithashtu dhanë opinionin e tyre edhe për ndeshjen e radhës që do ta luajnë me Kazakistanin.
Enis Bardhi, kapiten
“Çdo ndeshje e ka rëndësinë e vet, besoj edhe kjo ndeshje me Kazakistanin do të jetë e vështirë. Kemi një përparësi se luajmë në shtëpi, para tifozëve tanë, besoj që do të rikuperohemi shumë mirë pas kësaj ndeshje që kemi dhënë gjithçka. Të mendojmë njëherë për Kazakistanin dhe pastaj të shohim për ndeshjen ndaj Uellsit”.
“Ndeshja e radhës si gjithmonë është më e rëndësishme. Tash kemi dy ditë kohë për tu përgatitur për ndeshjen ndaj Kazakistanit. Nuk presim që të jetë e lehtë as ndeshja ndaj Kazakistanit, por edhe as ndaj Uellsit, posaqërisht këtë të fundit. Siç thash, ndeshja e radhës është më kryesore”.
Ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kazakistanit do të luhet të hënën në arenën “Todor Proeski” në Shkup, duke nisur ora 18:00.
Aziz Sahiti /SHENJA/