Trump thotë se “nuk ka arsye” për t’u takuar me homologun Xi pasi Kina vendosi kufizime për mineralet e rralla

Presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk ka “asnjë arsye” të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping, në samitin e ardhshëm, pasi Pekini shpalli kufizime të gjera mbi eksportin e mineraleve të rralla të tokës, transmeton Anadolu.
Trump deklaroi se Kina “po bëhet shumë armiqësore”, duke iu referuar kontrolleve të eksportit të shpallura të enjten mbi mineralet e rralla “dhe pothuajse gjithçka tjetër që mund të mendojnë”. Ai shtoi se Pekini u ka dërguar “letra armiqësore” vendeve anembanë botës duke njoftuar kufizimet e reja.
“Nuk ka asnjë mënyrë që Kina të lejohet të mbajë botën ‘peng’, por duket se ky ka qenë plani i tyre prej kohësh, duke filluar me ‘magnetët’ dhe elementet e tjera që i kanë grumbulluar qetësisht duke krijuar një pozicion pothuajse monopolist – një lëvizje mjaft tinëzare dhe armiqësore, për ta thënë butë. Por SHBA-ja ka gjithashtu pozicione monopoliste, shumë më të forta dhe me ndikim më të gjerë se ato të Kinës”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Gjërat që dikur ishin rutinë, tani nuk janë më të tilla. Nuk kam folur me presidentin Xi sepse nuk ka pasur arsye ta bëj. Kjo ishte një surprizë e vërtetë, jo vetëm për mua, por për të gjithë liderët e botës së lirë. Do të takoja presidentin Xi për dy javë, në APEC, në Korenë e Jugut, por tani nuk duket se ka arsye për ta bërë”, shtoi ai.
Trump dhe Xi pritej të takoheshin në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Korenë e Jugut më vonë këtë muaj.
Kina shpalli të enjten kufizimet e reja për eksportin e mineraleve të rralla, duke zgjeruar kufijtë për teknologjitë e përpunimit dhe prodhimit dhe duke ndaluar bashkëpunimin me kompani të huaja pa miratim paraprak qeveritar, raportoi media shtetërore.
Sipas Ministrisë së Tregtisë, masat synojnë të mbrojnë sigurinë kombëtare dhe interesat shtetërore përmes vendosjes së kontrolleve të eksportit mbi teknologjitë e lidhura me mineralet e rralla, përfshirë nxjerrjen, shkrirjen dhe ndarjen, prodhimin e materialeve magnetike dhe riciklimin e burimeve dytësore.
Ministria theksoi se teknologjitë dhe të dhënat përkatëse që lidhen me nxjerrjen, shkrirjen, ndarjen, prodhimin e metaleve, materialeve magnetike dhe proceset e riciklimit, si dhe montimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e linjave të prodhimit, nuk mund të eksportohen pa leje zyrtare.
Ky vendim pason kontrollet e gjera të vendosura nga Pekini në prill, të cilat shkaktuan mungesa globale, përpara se marrëveshje të reja me Evropën dhe SHBA të rinisnin dërgesat.
Trump paralajmëroi se, në varësi të reagimit të Kinës ndaj kufizimeve të reja, ai “do të detyrohet, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kundërpërgjigjet financiarisht ndaj këtij veprimi”.
“Për çdo element që ata kanë arritur ta monopolizojnë, ne kemi dy. Nuk e kam menduar kurrë se do të vinte dita, por ndoshta, si me çdo gjë tjetër, ka ardhur koha”, tha ai.
“Përfundimisht, edhe pse mund të jetë e dhimbshme, kjo do të jetë një gjë shumë e mirë për SHBA-në. Një nga politikat që po shqyrtojmë tani është rritja masive e tarifave doganore ndaj produkteve kineze që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Ka edhe shumë masa të tjera kundërvepruese që po merren seriozisht në konsideratë”, tha Trump.