UNICEF: Për shkak të sulmeve izraelite në Gaza janë vrarë ose plagosur mbi 64 mijë fëmijë

Zëdhënësi i Fondit Ndërkombëtar të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara (UNICEF), Ricardo Pires, deklaroi se më shumë se 64.000 fëmijë janë vrarë ose plagosur në Gaza për shkak të sulmeve ushtarake izraelite dhe se armëpushimi që filloi sot sjell shpresë se kjo mund të marrë fund, transmeton Anadolu.
Pires bëri vlerësimet e tij në konferencën javore për shtyp të mbajtur nga Zyra e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë.
Ai vuri në dukje marrëveshjen e armëpushimit të arritur në Gaza dhe theksoi se më shumë se 1 milion fëmijë kanë pritur këtë ditë për më shumë se dy vjet dhe kanë përjetuar vuajtje të pabesueshme.
Pires theksoi se lajmi i armëpushimit është një dritë shprese për fëmijët dhe familjet e Gazës. “Kjo shpresë duhet të përmbushet me veprime urgjente dhe të shpejta. Është thelbësore që të gjitha palët në konflikt të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të siguruar një marrëveshje. Armëpushimi do të sjellë shpresë se vrasja dhe gjymtimi i fëmijëve mund të marrë fund më në fund. Më shumë se 64.000 fëmijë janë vrarë ose plagosur nga sulmet ushtarake izraelite. Përafërsisht 25 për qind e tyre kanë lëndime që ndryshojnë jetën”i tha ai.
Gjithashtu Pires deklaroi se UNICEF është gati të ofrojë ndihmë, se situata është kritike dhe se Izraeli duhet të hapë sa më shumë pika hyrjeje të jetë e mundur.
– “Ndodhemi përballë me rrezikun e një rritjeje të madhe në vdekshmërinë e fëmijëve”
Pires paralajmëroi se ndodhen përballë me rrezikun e një rritjeje të madhe në vdekshmërinë e fëmijëve sepse “sistemet e tyre imunitare janë më të dobësuara se kurrë dhe ata nuk kanë qasje në ushqim të mjaftueshëm”.
Pasi vuri në dukje se ende nuk ka detaje të mjaftueshme se si UNICEF do të marrë pjesë në këtë ndërhyrje të re në terren pas armëpushimit, Pires shpjegoi se gjatë armëpushimit disamujor në fillim të këtij viti janë parë aftësitë se çfarë mund të bëjë UNICEF.
“50.000 fëmijë nën rrezik vuajnë nga kequshqyerja akute. Për këtë arsye ata kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm. Shpresojmë që me armëpushimin, fëmijët e Gazës do të jenë në gjendje të marrin trajtimin terapeutik shumë të nevojshëm sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Pires.
Pas miratimit të marrëveshjes së armëpushimit nga Kabineti i Sigurisë Izraelite mbrëmë, ushtria izraelite ka filluar një tërheqje të pjesshme nga disa nga zonat që ka pushtuar në Gaza.