Masa të rrepta sigurie për ndeshjen Serbi–Shqipëri

Federata e Futbollit të Serbisë ka njoftuar zyrtarisht për masa të shtuara sigurie në prag të ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. Në një komunikatë publike, Federata Serbe shpreh mbështetje të plotë për autoritetet shtetërore në zbatimin e këtyre masave dhe thekson se rregullat do të zbatohen pa përjashtim. Një nga masat kryesore është personalizimi i biletave, teksa hyrja në stadium do të lejohet vetëm nëse emri në biletë përputhet me dokumentin e identifikimit të mbajtësit. Federata paralajmëron se çdo biletë e blerë në treg të zi do të konsiderohet e pavlefshme. Për të garantuar sigurinë, kontrollet në hyrje do të jenë të dyfishta, dhe tifozëve u kërkohet të paraqiten herët në stadium për të shmangur vonesat. Ndalohet rreptësisht hyrja me çakmakë, monedha apo sende të tjera të forta, të cilat do të konfiskohen në hyrje. “Siguria e lojtarëve, tifozëve dhe të gjithë pjesëmarrësve është përparësi absolute,” thuhet në deklaratën e Federatës Serbe. Përballja ndërmjet Serbisë dhe Kombëtares Shqiptare do të luhet nesër në Leskovac me fillim në orën 20:45.