Aktori Florjan Binaj kandidon për kryetar të Tiranës: Na duhet një drejtues qytetar, jo partiak

Aktori i njohur Florjan Binaj ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Në një deklaratë në facebook, Binaj tha se vendimi i tij vjen si një thirrje për ndryshim dhe për t’i rikthyer qytetarëve besimin tek institucionet lokale.
“Të dashur mikesha dhe miq, qytetarë të ndershëm, punëshumë e fjalëpakë të kryeqytetit. Si një artist i përfshirë në çështje publike prej 22 vitesh, kam vendosur të shpall kandidaturën time për kryetar bashkie”, shkruan ai.
Binaj theksoi se Tirana ka nevojë për një figurë që nuk përfaqëson asnjë parti politike:
“Na duhet një drejtues qytetar, i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët. E kemi parë në 34 vite që drejtimi partiak i bashkisë nuk ka sjellë përmirësim në cilësinë e jetës sonë.”
Ai tha se është gati të japë “gjithë veten” për të përfaqësuar çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike.(Euronews.al)