Andonovski: BE të mundësojë roaming të lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor

Andonovski: BE të mundësojë roaming të lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor

Digjitalizimi, ndërveprimi, siguria kibernetike, lidhja e institucioneve dhe sfidat e kohës së re – nga inteligjenca artificiale deri te pjesëmarrja në sektorin e biznesit dhe komunitetin akademik, janë temat kryesore të diskutimit në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor (WBDS) 2025. Ky event rajonal, që mbahet sot në Shkup, i bashkon liderët e transformimit digjital nga Ballkani Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe më gjerë.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, para fillimit të Samitit theksoi se në Shkup janë mbledhur përfaqësues të shteteve dhe ekonomive nga i gjithë Ballkani Perëndimor, ekspertë, përfaqësues të korit diplomatik dhe të biznesit rajonal. Ai shprehu shpresën se ngjarja do të fuqizojë lidhjen mes shteteve të rajonit.

“Shpresoj që ky aktivitet të shërbejë si platformë për lidhjen e vendeve të rajonit, jo vetëm si një mundësi për diskutim, por që të arrijmë sukses së bashku. Në këtë drejtim, të inkurajuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), kemi punuar në një deklaratë të përbashkët, e cila u bën thirrje BE-së dhe fqinjëve tanë të mundësojnë nismën ‘roaming si në shtëpi’, duke ulur shpenzimet për të dhëna, thirrje telefonike dhe SMS për qytetarët nga Ballkani Perëndimor në të gjithë Evropën, ashtu siç kjo nismë ka funksionuar deri tani në rajon”, tha Andonovski.

Ministri shtoi se shpreson që kjo deklaratë e përbashkët të jetë e suksesshme dhe, më pas, të gjitha shtetet e rajonit të përmbushin kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian.

MARKETING