Olta Xhaçka zgjidhet Zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Shqipëria ka siguruar një përfaqësim të lartë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pas një vendimi unanim që e zgjodhi deputeten shqiptare, Olta Xhacka, në postin e Zëvendëspresidentes së këtij institucioni prestigjioz.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Xhacka përmes një postimi në Facebook, ku shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe theksoi se kjo zgjedhje është një dëshmi e qartë se Shqipëria ka zë, peshë dhe vizion në arenën ndërkombëtare.
“E nderuar për besimin që mu dha sot, përmes zgjedhjes në unanimitet, si Zëvendës Presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kjo nuk është thjesht një detyrë e re — është një mesazh i fortë besimi se Shqipëria ka zë, peshë dhe vizion”, shkroi Xhacka.
Ajo nënvizoi se në këtë rol do të angazhohet për të forcuar zërin e Shqipërisë në mbrojtje të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, si dhe për të mbështetur Kosovën në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Ukrainën në përpjekjet për drejtësi dhe paqe, si dhe për të nxitur reformat që forcojnë besueshmërinë e Shqipërisë si partnere ndërkombëtare.