(VIDEO) Kasami: Ali Ahmeti po e sjell “botën serbe”

Njëri ndër liderët e VLENI-it, Bilall Kasami ka hedhur sot akuza serioze ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, për lidhje të ngushta me regjimin serb. Kasami thotë se, ka prova të cilat dëshmojnë se, Ahmeti me familjen e tij po i shet pasuri bankës së regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Sipas tij, Ahmeti është personalisht përgjegjës për futjen e “Botës Serbe” të Aleksandar Vuçiqit në Maqedoni dhe për futjen e bankave serbe në Maqedoni.
Bilall Kasami, VLEN
“Kompania “AS Senjak” nga Kërçova, e njohur për opinionin për shumë skandale tjera, e cila është në pronësi të mikut të Ali Ahmetit, përkatësisht babait të gruas së djalit të tij, ka poseduar mijëra aksione në Stopanska Banka – Manastir. Këto aksione në pronësi të familjes së Ali Ahmetit janë shitur pikërisht te Alta Banka nga Beogradi, në pronësi të Davor Macura – një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe bankë e lidhur drejtpërdrejt me regjimin serb të Aleksandar Vuçiqit. Kjo shitje ka ndodhur më 17.09.2025. Vetëm dhjetë ditë më parë. Ja ku është dëshmia”.
Ai më tej shtoi se, kjo është provë që Ahmeti nuk është vetëm partner politik me njerëz nga Serbia, por edhe pjesë e rrjetit financiar të Vuçiqit.
Bilall Kasami, VLEN
“Ali Ahmeti përmes biznesit dhe bankave e futi “Botën Serbe” në Maqedoni. BDI për njëzet vjet manipulojnë qytetarët duke folur për patriotizëm, ndërsa pas perdes shesin kapital te regjimet serbe. Me këtë, Ali Ahmeti dhe njerëzit e tij e vënë drejtpërdrejt në rrezik sistemin financiar dhe e bëjnë shtetin të varur nga Beogradi. Shqiptarët i kthejnë përsëri në varësi nga qendra serbe. VLEN publikisht e akuzon Ali Ahmetin se është partner financiar i Aleksandar Vuçiqit dhe se e përdor fuqinë e tij politike për interesa personale dhe familjare në biznes”.
Kujtojmë se, opozita shqiptare e posaçërisht BDI, vazhdimisht akuzon VLEN-in se po ndihmon futjen e ndikimit të botës serbe në vend. Së fundmi, ata kanë akuzuar se përmes bankës serbe, Qeveria po lejon kolonizim ekonomik e politik të agjendes serbe.
Teuta Buçi /SHENJA/