Gazetari francez zbulon fituesin e çmimit “Topi i Artë” për vitin 2025

Gazetari i njohur francez, Romain Kollet-Gaudin, ka bërë publik emrin e fituesit të “Topit të Artë” për vitin 2025. Sipas tij, çmimi më i madh individual në botën e futbollit do të shkojë për yllin francez, Ousmane Dembele.
Në një prononcim të cituar nga “The Touchline”, Kollet-Gaudin ka pohuar se Dembele është shpallur tashmë si fituesi i edicionit të sivjetshëm, duke i lënë pas emra të mëdhenj të futbollit botëror.
Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimit do të zhvillohet sot, më 22 shtator, në Paris, aty ku do të zyrtarizohet edhe emri i fituesit para publikut dhe botës së futbollit.
“Topi i Artë”, një nga çmimet më prestigjioze në historinë e sportit, nderon lojtarin që ka dhënë kontributin më të madh gjatë vitit, duke u dalluar jo vetëm me performancat individuale, por edhe me sukseset e arritura me ekipin e tij.
Nëse ky informacion konfirmohet, Dembele do të shkruajë një faqe të re në historinë e futbollit francez dhe botëror, duke hyrë në elitën e legjendave që kanë ngritur këtë trofe.
Kujtojmë, kandidatët e tjerë për “Topin e Artë” janë dy yjet e Barcelonës, Lamine Jamal e Rafinja.