Jose Mourinho ka futur një klauzolë të pazakontë në kontratën me Benficën

Jose Mourinho ka futur një klauzolë të pazakontë në kontratën me Benficën

Benfica ka përfshirë një klauzolë ndërprerjeje në kontratën e Jose Mourinhos që mund të aktivizohet që verën e ardhshme.

Mourinho u prezantua si trajneri i ri i Benficas të enjten, vetëm disa javë pasi u shkarkua nga skuadra turke Fenerbahce pas dështimit të tyre për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.

Sipas Salary Leaks, “Special One” ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me skuadrën portugeze dhe pritet të përfitojë rreth 6 milionë euro në sezon në Estadio da Luz.

Ndërsa u prezantua para mediave gjatë një konference për shtyp këtë javë, presidenti i klubit të Benficas, Rui Costa, përmendi se një klauzolë e veçantë është futur në kontratën e Mourinhos.

Costa, i cili mund të largohet nga Benfica muajin tjetër mes zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, nuk zbuloi asnjë detaj specifik, megjithëse konfirmoi se Benfica dhe Mourinho kanë mundësinë të ndahen në fund të sezonit 2024/25.

“Ekziston një klauzolë në fund të sezonit që i lë klubit mundësinë të vazhdojë me trajnerin apo jo”, ka thënë Costa.

Që atëherë është raportuar se klauzola në fjalë do t’i japë kujtdo që zgjidhet president në tetor mundësinë të ndahet nga Mourinho pa një pagesë të majme kompensimi.

Një raport nga e përditshmja portugeze O Jogo shpjegoi se si klauzola do të funksionojë në të dyja drejtimet.

“Secila palë mund ta ndërpresë kontratën brenda dhjetë ditëve të para pas përfundimit të ndeshjes së fundit zyrtare të sezonit, me kosto dukshëm më të ulëta se pagesa e pagave të sezonit 2026/27”, thuhet në raport.

Me fjalë të tjera, nëse Benfica e shkarkon Mourinhon, do të paguajë një shumë dukshëm më të ulët sesa nëse do të duhej të paguante kompensim për pjesën e mbetur të kontratës. Dhe nëse Mourinho vendos të largohet për një klub tjetër, duke e ndërprerë kontratën, ai do të duhet t’i paguajë Benficës një shumë ekuivalente.

 

MARKETING