Liverpooli fitore dramatike ndaj Atleticos, Bayerni dhe Interi bëjnë detyrën

Liverpooli fitore dramatike ndaj Atleticos, Bayerni dhe Interi bëjnë detyrën

Në javën e parë të Champions League, Atalanta u mposht në Paris, duke u dorëzuar 4-0 përballë PSG-së kampione në fuqi. Në “Parc des Princes” ndeshja nisi në mënyrë shokuese për “Zonjën”, me Marquinhos (3’) që gjeti rrjetën e avantazhit duke shfrytëzuar një gabim të Maldinit në fazën e daljes nga mbrojtja.
Më pas ishte Carnesecchi ai që e mbajti në lojë skuadrën bergamaske me disa pritje të jashtëzakonshme, deri në golin e dytë të Kvaratskhelia-s (39’) në fund të një aksioni personal. Në pjesën e parë, portieri ishte padyshim protagonisti absolut për të tijtë, duke mbyllur 45 minutat e para me një penallti të pritur ndaj Barcola-s.
Në pjesën e dytë, francezët shënuan golin e tretë me Nuno Mendes (51’), ndërsa Gonçalo Ramos (90’+1’) vulosi rezultatin me golin e katërt, duke i dhënë një humbje të thellë Atalantës, që nuk arriti kurrë të futej realisht në lojë.
Ajax-Inter 0-2

Interi triumfon 2-0 ndaj Ajaxit në ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Champions League dhe e nis mbarë aventurën evropiane, duke lënë pas krahëve humbjen me përmbysje në “Derbin e Italisë”. Takimin në “Johan Cruijff Arena” e vendosi një dopietë e Marcus Thuram-it në super formë: një gol në fund të pjesës së parë dhe një tjetër në fillim të së dytës, të dy me kokë, të dy pas goditjeve nga këndi të Calhanoglu-t.

Liverpool – Atletico Madrid 3-2

Liverpooli ka debutuar me një fitore të madhe në Champions League, duke mposhtur 3-2 Atletico Madridin në një sfidë dramatike në “Anfield”. Të kuqtë shpërthyen që në minutat e para, kur Andy Robertson (4’) realizoi nga një goditje dënimi, me topin që devijoi në murin spanjoll. Vetëm dy minuta më pas, Mohamed Salah dyfishoi shifrat pas një kombinimi me Gravenberch.

Atletico reagoi në shtesën e pjesës së parë, kur Llorente finalizoi një aksion të bukur me Raspadorin, duke ngushtuar rezultatin në 2-1. Në minutën e 80-të, sërish Llorente goditi, këtë herë me një gjuajtje të saktë nga kufijtë e zonës, duke barazuar shifrat. Liverpooli nuk u dorëzua: në minutat shtesë, kapiteni Virgil van Dijk vulosi fitoren me një gol tipik prej qendërmbrojtësi, duke shënuar me kokë pas një goditjeje këndi.

Bayern Munich – Chelsea 3-1

Spektakël dhe gola edhe në “Allianz Arena”, ku Bayern Munich mposhti 3-1 Chelsea-n. Bavarezët kaluan në epërsi në minutën e 20-të, pas një aksioni nga Michael Olise që detyroi Chalobah të shënonte autogol. Vetëm pesë minuta më vonë, Harry Kane fitoi dhe shndërroi një penallti për rezultatin 2-0. Chelsea reagoi menjëherë: në minutën e 30-të, Cole Palmer realizoi pas një kundërsulmi të shpejtë të kombinuar me Joao Pedro, duke e mbyllur pjesën e parë 2-1. Në pjesën e dytë, Bayern siguroi fitoren falë golit të dytë personal të Kane (62’), duke e çuar rezultatin në 3-1. /Kohajone/

MARKETING