NATO nis operacionin ‘Roja Lindore’ pas futjes së dronëve rus në Poloni

NATO nis operacionin ‘Roja Lindore’ pas futjes së dronëve rus në Poloni

NATO nisi të premten një mision të ri për të forcuar mbrojtjen e krahut lindor të Evropës, në përgjigje të ndërhyrjeve të dronëve rusë në hapësirën ajrore polake në fillim të kësaj jave, tha Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte.

“Është e pamatur dhe e papranueshme. Nuk mund të lejojmë që dronë rusë të hyjnë në hapësirën ajrore aleate”, tha Rutte, duke njoftuar operacionin “Roja Lindore”.

Misioni, i cili fillon të premten në mbrëmje, do të përfshijë një sërë asetesh që integrojnë bazat ajrore dhe tokësore, transmeton Telegrafi.

“Aleatët, përfshirë Danimarkën, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, deri më tani janë zotuar për misionin, ndërsa të tjerë do të bashkohen”, tha Rutte.

Komandanti i lartë i NATO-s, Alexus Grynkewich, tha se NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit të aleancës.

“Polonia dhe qytetarët nga e gjithë Aleanca duhet të sigurohen nga reagimi ynë i shpejtë në fillim të kësaj jave dhe njoftimi ynë i rëndësishëm këtu sot”, tha ai. /Telegrafi/

MARKETING