Katari reagon ndaj kërcënimit të Netanyahut për sulme të reja

Katari reagon ndaj kërcënimit të Netanyahut për sulme të reja

Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit e cilësoi si “të pamatur” kërcënimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për sulme të reja ndaj Katarit dhe njoftoi se Netanyahu duhet të mbahet përgjegjës, transmeton Anadolu.

“Ne do të punojmë me partnerët tanë për t’i dhënë fund praktikave të pamatura dhe të papërgjegjshme të Netanyahut dhe për ta mbajtur atë përgjegjës”, thuhet në një deklaratë nga ministria.

“Deklaratat e Netanyahut lidhur me strehimin e një zyre të Hamasit për të legjitimuar sulmet në territorin e Katarit janë ‘përpjekje të turpshme dhe të rrezikshme’. Të strehosh një zyre të Hamasit është pjesë e përpjekjeve të ndërmjetësimit të kryera me kërkesë të SHBA-së dhe Izraelit”, theksohet më tej.

Deklarata vë në dukje se zyra e Hamasit ka luajtur rol të rëndësishëm në procese të shumta armëpushimi dhe shkëmbimi të pengjeve që kanë kontribuar në lehtësimin e situatës së civilëve palestinezë dhe të pengjeve izraelite përballë tragjedive humanitare të përjetuara që nga 7 tetori 2023.

Më tej thuhet se negociatat u zhvilluan zyrtarisht dhe në mënyrë transparente me mbështetje ndërkombëtare dhe pjesëmarrjen e delegacioneve amerikane dhe izraelite ndërsa pretendimi i Netanyahut se Katari po “strehon fshehurazi” një delegacion të Hamasit cilësohet si “përpjekje për të legjitimuar krimet e dënuara në të gjithë botën”.

Gjithashtu në deklaratë kritikohet edhe krahasimi me Al-Kaedën i bërë nga Netanyahu. “Nuk pati ndërmjetësim ndërkombëtar pas sulmeve të 11 shtatorit dhe nuk u zhvilluan negociata me Al-Kaedën. Ky krahasim i rremë është një tjetër shembull i përpjekjeve të Netanyahut për të legjitimuar politikat e tij të pabesë”, theksohet në deklaratë.

Pasi vihet në dukje se Netanyahu është “një udhëheqës i kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare, që përballet me sanksione në rritje dhe përjeton izolim në thellim”, në deklaratë theksohet se Katari gëzon solidaritet të gjerë ndërkombëtar dhe refuzon kërcënimet e pamatura ndaj sovranitetit shtetëror.

“Pavarësisht të gjitha këtyre përpjekjeve, Katari do të vazhdojë të ruajë rolin e tij si një partner ndërkombëtar i besueshëm dhe i ndershëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe në botë”, thuhet në vazhdim.

“Katari do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin e tij dhe do t’i rezistojë çdo përpjekjeje për të minuar statusin e tij”, thekson deklarata.

Në deklaratë i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar “të refuzojë retorikën nxitëse dhe islamofobike të Netanyahut, t’i japë fund mashtrimit politik që minon përpjekjet e ndërmjetësimit dhe të mbështesë përpjekjet për paqe”.

MARKETING