Raporti i BBC: Mbi 128 mijë ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë, më shumë se gjysma e tyre ishin vullnetarë

Raporti i BBC: Mbi 128 mijë ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë, më shumë se gjysma e tyre ishin vullnetarë

Numri i ushtarëve rusë të vrarë gjatë pushtimit të plotë rus të Ukrainës ka arritur në 128,115, sipas një vlerësimi të BBC-së.

BBC, në bashkëpunim me faqen ruse të internetit Mediazona (e cila është në regjistrin e ‘agjentëve të huaj’) dhe një grup vullnetarësh, arriti të identifikojë emrat e ushtarëve rusë që u vranë.

54% e të gjithë të vdekurve ishin vullnetarë, rekrutë dhe të dënuar, për vepra të ndryshme penale, të cilët rekrutoheshin dhe dërgoheshin në luftë nga burgjet e të dënuarve, domethënë njerëz që nuk kishin lidhje me ushtrinë në fillim të luftës.

“Është shumë herët për të përmbledhur rezultatet e ofensivës së Rusisë – shkruan BBC – pasi njoftimet për vdekjen e ushtarëve merren nga të afërmit me vonesë dhe më pas na duhet kohë shtesë për t’i verifikuar ato. Megjithatë, disa të dhëna janë tashmë të disponueshme.”

 

 

Gjatë tre muajve të verës, ne regjistruam botimin e 23,305 nekrologjive për ushtarët rusë. Në të njëjtën kohë, në disa ditë, u botuan 400-420 nekrologji, që është trefishi i mesatares për vitin 2024.

Të burgosurit, të dërguar në luftë direkt nga burgjet, përbëjnë 14% të ushtarëve të vdekur, vullnetarët 29% dhe përqindja e tyre vazhdon të rritet.

Aktualisht, ata që nënshkruan kontrata pas fillimit të luftës përbëjnë forcën kryesore goditëse të ushtrisë ruse në Ukrainë. Për krahasim, në vitin 2023, vullnetarët përbënin 14% të numrit të përgjithshëm të vdekjeve ushtarake.

Rusia vazhdon të humbasë personel të kualifikuar, përfshirë oficerë, në front. Në total, 5,704 oficerë dihet se kanë humbur jetën që nga fillimi i pushtimit. Midis tyre janë 12 gjeneralë (përfshirë Gjeneral Majorin e Ministrisë së Brendshme Andrei Golovatsky, i cili më parë ishte dënuar me 8.5 vjet burg).

MARKETING