Turqia, ndër vendet më të besueshme në shtetet e Ballkanit Perëndimor

Türkiye është renditur në mesin e vendeve të para në aspektin e besueshmërisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Janë publikuar rezultatet e një ankete sasiore që synon popullsinë e përgjithshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi të moshës 15 vjeç e lart që jeton në vend, të realizuar nga portali “WeBalkans.eu”, pjesë e Programit Rajonal të Komunikimit të Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, i menaxhuar nga Komisioni Evropian.
Në anketën ku janë intervistuar rreth 1.000 persona në secilin prej 6 shteteve të rajonit, në mesin e të tjerëve pjesëmarrësit janë pyetur se cilit vend ose institucion sa i besojnë.
Sipas përgjigjeve të përpiluara, prirja më e lartë e besueshmërisë për Türkiyen është shënuar në Kosovë me 77 për qind, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 71 për qind, Shqipëria me 69 për qind, Bosnjë e Hercegovina me 63 për qind, Mali i Zi me 48 për qind dhe në fund Serbia me 23 për qind.
Nga ana tjetër, besueshmëria më e lartë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është në Kosovë me 88 për qind, e ndjekur nga Shqipëria me 88 për qind, Maqedonia e Veriut me 66 për qind, Bosnjë e Hercegovina me 45 për qind, Mali i Zi me 44 për qind dhe Serbia me 17 për qind.
Në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, besimi ndaj Rusisë më i lartë është në Serbi me 59 për qind, ndërsa ai më i ulëti në Shqipëri me 9 për qind. Qytetarët e Malit të Zi në besimin ndaj Federatës Ruse janë me 47 për qind, të Maqedonisë së Veriut me 38 për qind, Bosnjë e Hercegovinës me 28 për qind dhe Kosovës me 10 për qind.
Vendin e parë në besimin te Kina në Ballkanin Perëndimor e ndajnë Serbia dhe Mali i Zi me nga 57 për qind. Pas tyre renditet Bosnjë e Hercegovina me 42 për qind, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me nga 39 për qind si dhe Kosova me 10 për qind.
Sipas raportit, BE-ja është institucioni më i besueshëm në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi, ShBA-ja në Kosovë, Banka Botërore në Maqedoni të Veriut dhe Federata Ruse në Serbi.