Britania, Franca dhe Gjermania aktivizojnë mekanizmin për rivendosjen e sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit

Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar aktivizuan mekanizmin për rivendosjen e sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit për shkak të mosmarrëveshjes mbi programin bërthamor të Teheranit, transmeton Anadolu.
“Si rezultat i veprimeve të Iranit dhe në përputhje me paragrafin 11 të Rezolutës 2231 (2015) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur sot të njoftojnë Këshillin e Sigurimit se ne besojmë se Irani është në mospërmbushje të konsiderueshme të angazhimeve të tij sipas JCPoA-së (Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit), duke aktivizuar kështu mekanizmin e rivendosjes (së sanksioneve)”, thanë tri vendet në një deklaratë të përbashkët.
“Ky njoftim fillon procesin e rivendosjes të përcaktuar në Rezolutën 2231. Ai hap një periudhë 30-ditore para rivendosjes së mundshme të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mbyllura më parë”, thuhet në deklaratë.
Marrëveshja bërthamore me Iranin kishte për qëllim të parandalonte Teheranin nga ndërtimi i një bombe bërthamore. Dokumenti rregullon në mënyrë specifike verifikimin e pavarur të programit bërthamor të Iranit dhe vendos kufizime mbi sasinë dhe pasurimin e uraniumit.