“Izraeli me vetëdije shënjestroi qendrën e gazetarëve në spitalin ‘Nasser’ të Gazës”

Një zyrtar palestinez i shëndetësisë akuzoi ushtrinë izraelite se qëllimisht ka shënjestruar vendqëndrimin e gazetarëve në spitalin “Nasser” në Gazën jugore përpara se të sulmonte punonjësit humanitarë që nxituan t’i shpëtonin, duke vrarë të paktën 20 persona, përfshirë 5 gazetarë, raporton Anadolu.
Drejtori i infermierisë në spital, dr. Mohammed Saqer tha se forcat izraelite pretenduan se kishte kamerë të fshehur në katin e katërt të ndërtesës së kirurgjisë, por theksoi se kjo ishte e pavërtetë.
“Kjo zonë, shkallët pranë sallës së operacionit, është qendër për gazetarët. Të gjithë ne e dimë se kjo është një qendër për gazetarët. Ata i vendosin kamerat e tyre sipër dhe ua përcjellin lajmet agjencive lokale dhe ndërkombëtare. Pra, nuk është sekret. Është diçka e njohur për ne dhe për Izraelin”, tha Saqer.
“Ata i dinë numrat tanë. Ndonjëherë na kontaktojnë. Nëse do të kishin ndonjë kundërshtim lidhur me praninë e gazetarëve në katin e katërt, mund ta kishim rregulluar këtë. Nuk është e vështirë. Mund t’u kishim kërkuar gazetarëve të zbrisnin dhe të largoheshin nga vendi. Por, ata e kanë përdorur këtë zonë një kohë të gjatë për të dhënë lajmet”, tha ai.
Ai e dënoi Izraelin për nisjen e sulmit të dytë ndërsa stafi humanitar u përpoq të evakuonte të plagosurit.
“Gjëja tronditëse është pse forcat ajrore izraelite goditën gazetarët në katin e katërt dhe kur dërguam stafin tonë humanitar për t’i shpëtuar, ata sulmuan përsëri stafin humanitar. Cili është qëllimi i kësaj? Pse këmbëngulni të na vrisni? Ne po punojmë në një zonë humanitare, në një strukturë shëndetësore. Ne duhet të mbrohemi sipas rregullave ndërkombëtare”, tha ai.
Të paktën 20 palestinezë, përfshirë 5 gazetarë dhe një zjarrfikës u vranë dhe disa të tjerë u plagosën të hënën në sulmin izraelit ndaj spitalit “Nasser” në Khan Younis.
Ushtria izraelite pranoi sulmin, duke pretenduar se nuk i shënjestron qëllimisht gazetarët dhe njoftoi hetim të brendshëm.