Izraeli ka vrarë 233 dijetarë dhe predikues islam në Rripin e Gazës

Që nga 7 tetori 2023, Izraeli në sulmet e tij në Rripin e Gazës, krahas vendeve të shenjta, ka shënjestruar edhe figurat shpirtërore dhe udhëheqësit e opinionit të cilët mbanin në këmbë shoqërinë palestineze, raporton Anadolu.
Drejtori i Zyrës për media të Qeverisë Palestineze në Rripin e Gazës, Ismail al-Sawabite në një deklaratë për gazetarin e Agjencisë Anadolu (AA) tha se dijetarët islam që janë shënjestruar janë shtylla themelore në forcimin e vlerave kombëtare dhe fetare, duke mbjellë një frymë vendosmërie kundër sulmeve dhe luftërave shfarosëse dhe duke forcuar kohezionin shoqëror.
Ai theksoi se Izraeli ka shënjestruar 233 predikues, imamë dhe figura fetare që luajnë rol vendimtar në ruajtjen e vlerave shpirtërore të shoqërisë në Rripin e Gazës, me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh. Krahas kësaj në sulmet izraelite kanë humbur jetën edhe 20 të krishterë.
Sawabite tërhoqi vëmendje se këto sulme sistematike synojnë të demoralizojnë shoqërinë palestineze, të vënë në heshtje diskursin fetar dhe kombëtar që ekspozon krimet e pushtimit si dhe të spastrojnë hapësirën palestineze nga figurat me ndikim të aftë për të mobilizuar popullatën dhe për të ruajtur identitetin fetar dhe kombëtar. Ai tha se me këtë po bëhet përpjekje për të krijuar boshllëk shpirtëror dhe kulturor që do të hapë rrugën për imponimin e planeve kolonialiste.
Më tej Sawabite vuri në dukje se Izraeli synon të demoralizojë shoqërinë palestineze me këto masakra sistematike dhe të heshtë diskursin fetar dhe kombëtar që ekspozon krimet e pushtuesve.
Emrat e dijetarëve të shquar të shënjestruar nga Izraeli në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, janë si më poshtë:
– Predikuesi i Xhamisë Al-Aksa, Shehu Yousef Salama
Shehu Salama e filloi udhëtimin e tij fetar si mësues dhe imam.
Shehu Salama, i cili mbajti poste administrative në Ministrinë e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare në Gaza dhe shërbeu si ministër midis viteve 2005 dhe 2006, ka shërbyer si predikues në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar për 10 vjet nga viti 1997 deri në vitin 2007, gjatë së cilës kohë ai shërbeu si nënkryetar i Këshillit Suprem Islamik të Kudsit.
Shehu Salama u vra në një sulm ajror izraelit në shtëpinë e tij në kampin e refugjatëve Maghazi më 31 dhjetor 2023.
– Shehu Wael al-Zard
I njohur për predikimet e tij në Xhaminë e Madhe Omar dhe Xhaminë Al-Mahatta në Gaza, Zard ishte i njohur për zellin në predikimet e tij.
Pas përfundimit të masterit në hadith, Shehu Zard mori doktoraturën në Universitetin Ain Shams në Egjipt. Ai punoi si lektor në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara dhe në Universitetin e Hapur të Kudsit dhe në Universitetin Islam të Gazës.
Shehu Zard u plagos rëndë në një sulm ndaj shtëpisë së tij në qytetin e Gazës nga ushtria izraelite më 13 tetor 2023 dhe ndërroi jetë dy ditë më vonë.
– Shehu Walid Oweida
Shehu Oweida ishte anëtar i degës palestineze të Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Muslimanë dhe drejtori i përgjithshëm i Qendrës së Memorizimit të Kuranit në Gaza, e lidhur me Ministrinë Palestineze të Vakëfeve.
Shehu Oweida, i cili ka kryer doktoraturën në shkencat e hadithit, ishte figurë kyçe në përhapjen e njohurive islame dhe në udhëzimin e brezave të rinj drejt vlerave islame.
Më 12 nëntor 2024, shtëpia e Shehut Oweida në lagjen Sabra në jug të qytetit të Gazës u shënjestrua nga një sulm ajror izraelit ndërsa Oweida u vra në sulm.
– Shehu Nael Masran
Masran ishte i njohur për predikimet e tij të fuqishme që i nxisnin palestinezët të ishin të duruar dhe të vendosur në çdo fazë të sulmeve të Izraelit.
Pas studimeve për inxhinieri civile, Masran studioi ligjin islamik dhe përfundoi doktoraturën në jurisprudencë islame. Ai u vra së bashku me familjen e tij në një sulm ajror më 30 maj në tendën e tij në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
– U shënjestruan xhamitë
Përveç vrasjeve të dijetarëve dhe predikuesve fetarë, të dhënat nga Zyra për media e Qeverisë Palestineze në Gaza zbulojnë se Izraeli ka shënjestruar edhe vendet e adhurimit.
Që kur Izraeli filloi sulmet e tij më 7 tetor, 828 xhami në Gaza janë shkatërruar plotësisht ndërsa 167 të tjera janë dëmtuar rëndë dhe duhet të rindërtohen.
– Janë shënjestruar gjithashtu edhe të krishterët
Shënjestrimi i strukturave fetare nga Izraeli nuk mbeti i kufizuar vetëm me xhamitë. Në sulmet e Izraelit në Gaza u shënjestruan edhe vend-adhurimet e të krishterëve, klerët dhe të krishterët palestinezë.
Sulmet ajrore u drejtuan drejt kishave të mëdha që ishin shndërruar në strehimore për personat e zhvendosur. Këto sulme rezultuan në vdekje, lëndime dhe dëme të konsiderueshme materiale midis civilëve. Drejtori i Zyrës për media të Qeverisë në Gaza, tha se Izraeli ka shënjestruar drejtpërdrejt tre kisha të mëdha gjatë gjenocidit të tij të vazhdueshëm.
Këto kisha janë Kisha Ortodokse Greke e Shën Porfirit (St. Porphyrius), Kisha (Latine/Katolike) e Familjes së Shenjtë (Holy Family) dhe Kisha Ungjillore Baptiste (Evangelical Church) në Gaza.
Sawabite deklaroi se disa kisha u goditën disa herë dhe se si pasojë e kësaj u shkatërruan pjesë të mëdha të tyre dhe u shënuan dëmtime të rënda të strukturave historike dhe komplekseve të shërbimeve. Ai shtoi se më shumë se 20 të krishterë palestinezë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, u vranë në sulmet ndaj kishave.
Zyrtari palestinez thekson se shënjestrimi i Izraelit ndaj komunitetit të vogël të krishterë në Rripin e Gazës, përfshirë klerët e tij, është pjesë e politikës sistematike që synon eliminimin e diversitetit fetar dhe pranisë së vërtetë historike të rajonit. Ai thotë se numri i të krishterëve të vrarë në Gaza tejkalon 3 për qind të popullsisë së krishterë, përfshirë priftërinjtë dhe punonjësit fetarë.
“Kjo përbën shkelje të qartë të mbrojtjes që u jepet klerëve dhe vendeve të adhurimit nga e drejta ndërkombëtare humanitare dhe përbën krim lufte dhe krim i persekutimit fetar, siç përcaktohet në Statutin e Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale”, tha Sawabite i cili shtoi se bllokada dhe politika sistematike e urisë thellojnë vuajtjet e të krishterëve duke i privuar ata nga ndihma humanitare dhe nevojat themelore.
“Këto praktika nuk janë vetëm shkelje në terren, por edhe sulm ndaj historisë dhe identitetit të përbashkët të popullit palestinez. Ato përbëjnë krim të spastrimit etnik që kërkon përgjegjësi ndërkombëtare”, u shpreh Sawabite.
Sipas një deklarate nga Patriarkana Latine e Kudsit, ushtria izraelite bombardoi Kishën e Familjes së Shenjtë në qytetin lindor të Gazës më 17 korrik, duke vrarë tre persona, përfshirë dy të krishterë të moshuar (Saad Salame 60-vjeç dhe Fumia Ayyad 80-vjeç), dhe duke plagosur nëntë të tjerë, përfshirë pastorin e kishës, Gabriel Romanelli.
Zëdhënësi i Drejtorisë së Mbrojtjes Civile në Gaza, Mahmoud Basal në një deklaratë në atë kohë theksoi se kisha e dëmtuar rëndë ishte shtëpia e afërsisht 400 të krishterëve të zhvendosur nga luftimet. Sipas Zyrës për media, më 19 tetor 2023 vetëm pak ditë pasi filluan sulmet, ushtria izraelite nisi sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kishës së Shën Porfirit në Gazën qendrore, duke vrarë 20 persona, 18 prej të cilëve ishin të krishterë.
Kisha ndodhej pak metra larg spitalit arab Baptist të Kishës Ungjillore Episkopale në Kuds. Spitali në fjalë u bombardua vazhdimisht nga Izraeli. Ai iu nënshtrua veçanërisht sulmeve më 17 tetor 2023, në të cilat u vranë dhe u plagosën qindra palestinezë.
Edhe palestinezët e krishterë u detyruan të iknin në kisha dhe ndërtesa të lidhura me to për të gjetur strehim më të sigurt pasi shtëpitë e tyre u bombarduan dhe u shkatërruan.