Britania do të lejojë rreth 40 studentë nga Gaza të marrin bursa studimi

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ra dakord të lejojë rreth 40 studentë palestinezë nga Gaza të vijnë në vend në javët e ardhshme për të marrë bursa universitare të financuara, transmeton Anadolu.
Sipas BBC-së, 9 prej studentëve janë njoftuar se do t’u jepet ndihmë për t’u larguar nga Gaza sipas skemës Chevening, një iniciativë kryesisht e financuar nga qeveria që ofron diploma masteri njëvjeçare për studentët e huaj.
Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper thuhet se ka miratuar plane për të ndihmuar rreth 30 të tjerë me bursa të financuara plotësisht përmes skemave private. Ata do të jenë studentët e parë që do të lejohen të largohen nga Gaza për studime në Britani mes sulmeve gjenocidale të Izraelit në Gaza. Megjithatë, çdo largim mbetet i varur nga miratimi nga Izraeli.
Vendimi vjen pas muajsh fushate nga politikanë, akademikë dhe të tjerë në emër të më shumë se 80 studentëve palestinezë që kanë oferta nga universitetet e Mbretërisë së Bashkuar këtë vit. Studentët do të përballen me pengesa të konsiderueshme logjistike për t’u larguar nga zona e luftës, pasi pritet të udhëtojnë në një vend të tretë në rajon për kontrolle biometrike të vizave përpara se të sillen në Britani.
Vendimi vjen në një kohë marrëdhëniesh të tensionuara midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Izraelit, pasi Britania tha se do të njihte një shtet palestinez nëse Izraeli nuk përmbushte disa kushte të lidhura me luftën e tij në Rripin e Gazës.