Damasku sinjalizon përparim drejt një marrëveshjeje të mundshme sigurie me Tel Avivin

Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa të dielën sinjalizoi përparim në një marrëveshje të mundshme sigurie me Izraelin gjatë një takimi me një delegacion mediatik arab, raportuan mediat lokale.
Në komente të transmetuara nga Syria TV, al-Sharaa tha se ka “diskutime të avancuara mbi një marrëveshje të mundshme sigurie mes Damaskut dhe Tel Avivit”, duke theksuar se “çdo mirëkuptim do të bazohet në vijën e armëpushimit të vitit 1974.”
Ai shtoi se nuk do të hezitonte të ndërmarrë “çdo marrëveshje apo vendim që i shërben interesave të Sirisë dhe rajonit.”
Të martën, ministri i Jashtëm sirian Asaad al-Shaibani zhvilloi bisedime me një delegacion izraelit në Paris mbi uljen e tensioneve, mosndërhyrjen në punët e brendshme të Sirisë dhe arritjen e mirëkuptimeve për mbështetjen e stabilitetit rajonal, sipas Agjencisë Arabe Siriane të Lajmeve (SANA).
Agjencia raportoi se diskutimet trajtuan gjithashtu “monitorimin e armëpushimit në provincën Suwayda në jug të Sirisë dhe riaktivizimin e marrëveshjes së vitit 1974.”
Sipas agjencisë së lajmeve, bisedimet janë të ndërmjetësuara nga ShBA-ja dhe pjesë e përpjekjeve diplomatike “për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Siri dhe për të ruajtur unitetin dhe integritetin territorial të saj.”
Marrëveshja e Disangazhimit Siri-Izrael e vitit 1974, pas luftës së tetorit 1973, synonte ndarjen e forcave ndërluftuese dhe përfundimin e përplasjeve të drejtpërdrejta mes dy palëve.
Marrëveshja vendosi masa për tërheqjen e trupave dhe përcaktoi dy vija kryesore, të njohura si linja Alfa dhe Bravo, që ndanin pozicionet ushtarake siriane dhe izraelite.
Një zonë tampon u krijua mes dy vijave nën mbikëqyrjen e Forcës së Vëzhguesve të Çarmatosjes së OKB-së (UNDOF).