Lideri skocez: Veprimet e Netanyahut në Gaza përbëjnë gjenocid

Lideri skocez: Veprimet e Netanyahut në Gaza përbëjnë gjenocid

Ministri i Parë i Skocisë, John Swinney, ka paralajmëruar për pushtimin e planifikuar izraelit të Qytetit Gaza, duke theksuar se kjo “vetëm sa e intensifikon” gjenocidin e vazhdueshëm në enklavën palestineze, transmeton Anadolu.

“Veprimet e Netanyahut në Gaza përbëjnë gjenocid dhe pushtimi tokësor i Qytetit Gaza vetëm sa e intensifikon atë”, tha Swinney në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Ai tha se bota “nuk mund ta heq shikimin” dhe theksoi nevojën për “veprime serioze dhe urgjente” për t’i dhënë fund kësaj.

“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të thërrasë parlamentin, të sanksionojë Izraelin dhe t’u japë fund të gjitha shitjeve të armëve tani”, tha Swinney.

Më herët këtë muaj, Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi një plan për të pushtuar Qytetin Gaza, që ndodhet në pjesën veriore të enklavës palestineze të bllokuar.

Para mbledhjes së kabinetit, Netanyahu në një intervistë tha se Izraeli synon të pushtojë plotësisht Rripin e Gazës.

Të martën, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, gjithashtu miratoi planin për të pushtuar Qytetin Gaza.

Sipas planit, rreth 1 milion palestinezë do të zhvendosen fillimisht drejt jugut, teksa qyteti do të rrethohet dhe më pas do të pushtohet pas sulmeve të rënda.

Më 18 gusht, Hamasi njoftoi se kishte pranuar një propozim për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve të paraqitur nga Egjipti dhe Katari, por Izraeli akoma nuk i është përgjigjur ofertës.

Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë të paktën 62.200 palestinezë në Gaza, si dhe ka shkatërruar enklavën që po përballet me uri.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

MARKETING