Presidenti sirian miraton sistemin e përkohshëm zgjedhor për parlamentin

Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa nënshkroi të mërkurën një dekret me të cilin miratohet sistemi i përkohshëm zgjedhor për Asamblenë Popullore, nëpërmjet të cilit do të zgjidhen dy të tretat e anëtarëve të saj.
“Presidenti i Republikës Arabe Siriane, Ahmed al-Sharaa, nxori të mërkurën dekretin nr. 143 të vitit 2025, me të cilin miratohet sistemi i përkohshëm zgjedhor për Asamblenë Popullore të Sirisë”, njoftoi agjencia shtetërore siriane SANA.
Dekreti përcakton kushtet e procesit zgjedhor, kriteret për anëtarësim në Asamblenë Popullore, kompetencat e komisioneve zgjedhore, si dhe rregullat për anëtarësim në organet dhe komisionet zgjedhore.
Numri i përgjithshëm i anëtarëve të Asamblesë Popullore u përcaktua në 210, nga të cilët dy të tretat do të zgjidhen përmes organeve zgjedhore në njësitë zgjedhore të guvernatorateve, sipas shpërndarjes demografike dhe administrative, ndërsa pjesa tjetër do të emërohet nga presidenti.
Dekreti gjithashtu rregullon procedurat e apelimeve, kompetencat e komisioneve më të larta dhe më të ulëta, si dhe të komisioneve juridike, me qëllim sigurimin e transparencës dhe integritetit të procesit zgjedhor. Veçanërisht theksohet pavarësia dhe neutraliteti i plotë i komisioneve në ushtrimin e detyrave të tyre.
Në fund të korrikut, presidenti sirian mori draftin përfundimtar të sistemit të përkohshëm zgjedhor për Asamblenë Popullore.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Lartë Zgjedhor për Asamblenë Popullore, Mohammad al-Ahmad, deklaroi të mërkurën se vendi është ndarë në 62 njësi zgjedhore.
Al-Ahmad tha: “Njësitë zgjedhore janë ndarë në 62 qarqe, ku do të zhvillohet procesi i nominimit dhe zgjedhjeve.”
Ai shtoi se komisioni “nesër (të enjten) do të nisë procedurat praktike dhe do të fillojë pranimin e propozimeve për anëtarësi në organet zgjedhore të njësive të reja, çka do të çojë në zgjedhje, numërim votash dhe shpallje rezultatesh.”
Bashar al-Assad, lider i regjimit Baath në Siri për gati 25 vjet, iku në Rusi në dhjetor 2024, duke i dhënë fund sundimit të Partisë Baath që kishte qenë në pushtet që nga viti 1963. Në janar u formua një administratë e re kalimtare e drejtuar nga Sharaa.