Shkëndija përforcohet me Atdhe Mazarin përpara “play-off”-it ndaj Ludogoretsit

Në prag të dy sfidave vendimtare në kuadër të “play-off”-it për Ligën e Evropës kundër Ludogoretsit, Shkëndija ka bërë një lëvizje të rëndësishme në merkato. Klubi tetovar ka zyrtarizuar afrimin më të fundit, duke arritur marrëveshje për huazimin e sulmuesit 24-vjeçar, Mazari.
Futbollisti rikthehet në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, pasi sezonin e fundit ishte pjesë e skuadrës kroate Varazhdin, ku nuk gjeti shumë hapësira, duke regjistruar vetëm gjashtë paraqitje. Megjithatë, Shkëndija ka ndjekur me interes situatën e tij dhe beson se ai mund të sjellë freski në repartin ofensiv, veçanërisht në rast se transferimi i Tambe në Turqi konkretizohet.
Përpara eksperiencës në Kroaci, Mazari ka pasur tri sezone të suksesshme me Rabotniçkin, ku u shqua për paraqitjet e tij. Në të kaluarën, ai ka qenë pjesë edhe e ekipeve si Pobeda, Ohri dhe Struga, duke ndërtuar një karrierë të qëndrueshme në futbollin vendor.