Në qershor u paguan 830.336.364 denarë për ndërtimin e autostradave në korridoret 8 dhe 10d

Konsorciumi “Behtel” dhe “Enka”, kontraktor i seksioneve të autostradës së korridoreve 8 dhe 10d (Tetovë-Gostivar, Gostivar-Bukojçan dhe Prilep-Manastir), në qershor vazhdoi të kryejë kryesisht punime hetimore gjeoteknike, projektim dhe specifikime të autostradave, projektim shpronësimi, aktivitete për hetim të mjeteve të pashpërthyara vrasëse, punë për menaxhim të përkohshëm me komunikacionin dhe punime mobilizimi, si dhe aktivitete ndërtimi kryesisht për punime dheu dhe struktura.
Në qershor të këtij viti, sipas Raportit nga mbikëqyrja për përparim të punëve, ka pasur një pagesë nga shteti për “Behtel dhe Enka” përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore (NPRRSH) në shumën prej 830.336.364 denarë.
Raporti tregon se kanë përfunduar 87 për qind e parashikimeve të shpronësimit për seksionin e autostradës Tetovë-Gostivar , 76 për qind për Gostivar-Bukojçan dhe 78 për qind për seksionin Prilep-Manastir.
Sipas raportit, të publikuar në ueb faqen e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore (NPRRSH), për seksionin e parë Tetovë-Gostivar janë përfunduar 100 për qind e hetimeve gjeoteknike, për seksionin Bukojçan-Gostivar janë përfunduar 74 për qind e hetimeve gjeoteknike, ndërsa për seksionin Prilep-Manastir 63 për qind.
Është regjistruar gjithashtu përparim prej 72 për qind në punimet për specifikimin dhe projektimin në autostradën Tetovë-Gostivar, 36 për qind për Bukojçan-Gostivar dhe 52 për qind për Prilep-Manastir.
Gjatë këtyre aktiviteteve, kontraktori angazhoi 2.029 persona dhe 10,141 makineri ndërtimi deri në qershor.
Që nga fillimi i këtij viti, përveç pagesës prej 830.336.364 denarë në qershor, ka pasur dy pagesa ndaj “Behtel and Enka” në prill, prej 599.794.350 denarë dhe 524.972.228 denarë, si dhe një në maj prej 681.026.665 denarësh. Deri në fund të vitit të kaluar ishin paguar 261 milionë euro.
Nga katër seksionet e planifikuara me Marrëveshjen me “Behtel” dhe “Enka” me vlerë 1,3 miliardë euro që u dakordua në mars 2023, nuk ka asnjë aktivitet për Trebenishtë – Qaf Thanë, ku, sipas paralajmërimeve, rruga do të rishikohet për të ruajtur statusin e mbrojtur të Liqenit të Ohrit dhe rajonit.