Ivanovska pas marrjes në pyetje në Prokurori: Jam akuzuar se gjoja mënyra në të cilën i kemi hapur lëndët në KSHPK

Ivanovska pas marrjes në pyetje në Prokurori: Jam akuzuar se gjoja mënyra në të cilën i kemi hapur lëndët në KSHPK

Ish-kryetarja e Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit (KSHPK), Biljana Ivanovska, e cila shpalli kandidaturë për kryetare të komunës Qendër si kandidate e “Të pavarur së bashku”, sot u mor në pyetje në prokurori lidhur me padinë penale kundër saj.

Ivanovska, në deklaratë për mediumet, pas marrjes së saj në pyetje në Prokurori, tha se është thirrur për shkak të padisë penale për punë të pandërgjegjshme sipas nenit 353, derisa ishte kryetare e Antikorrupsionit, duke cekur se nuk mund të tregojë se cilës lëndë i referohet saktësisht në mënyrë që të mos e pengojë punën e Prokurorisë.

“Jam akuzuar se gjoja mënyra në të cilën ne i kemi hapur lëndët në KSHPK dhe ndarja e informatave në opinion, ka qenë në njëfarë mënyre, kontestuese për paraqitësin. Sot në takim me prokuroren, unë sqarova se në cilën mënyrë KSHPK i formon lëndët. Në rastin konkret ishte hapur lëndë pas nismës individuale, të një anëtari të komisionit tonë. Lënda po punohej, në fund lënda është pa ndonjë epilog dhe procedura ka përfunduar pa kurfarë dyshime më tutje, por ajo që ishte kontestuese për paraqitësin është se në cilën mënyrë ne kemi komunikuar me opinionin”, deklaroi Ivanovska.

Sipas Ivanovskës, nuk ka asgjë kontestuese, duke cekur se prokuroroes ia ka sqaruar mirë se si ka vepruar KSHPK, cili është roli i Kryetarit të KSHPK-së – se i ka nënshkruar vendimet të cilat sillen në mënyrë kolektive me shumicë nga anëtarët, pa dallim nëse ajo është për hapje apo për mbyllje të lëndës.

Lidhur me ftesën të cilën e mori në të njejtën ditë kur e shpalli kandidaturën për kryetare të Komunës Qendër, Ivanovska tha se “mendimi i opinionit për efikasitetin e prokurorisë publike është i tillë, siç është, dhe kjo lë hapësirë për dyshime, jo tek unë, por në përgjithësi tek qytetarët”.

E pyetur nëse mbetet dyshimi se ka lidhje me kandidaturën e saj zgjedhore, Ivanovska tha se “nuk dëshiron ta besojë atë” dhe se vetëm ka thënë se çfarë i ka ndodhur.

Ivanovska më 14 gusht kumtoi se do të kandidojë prë kryetare të Komunës Qendër si kandidate e “Të pavarur së bashku”, ndërsa ditën e ardhshme përmes profilit të vet në Fejsbuk kumtoi se policia në mbrëmje i ka dorëzuar padi penale.

MARKETING