Zelensky: Jam i hapur për bisedime dypalëshe me Putinin para takimit trepalësh

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se është i hapur për të zhvilluar një takim dypalësh me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për të diskutuar përfundimin e luftës përpara se të kalojë në një format trepalësh që mund të përfshijë udhëheqësit e SHBA-së dhe Evropës, transmeton Anadolu.
“Siç thashë, ne jemi të gatshëm për çdo format në nivel udhëheqësish, sepse vetëm në nivel udhëheqësish mund t’i zgjidhim të gjitha ato çështje komplekse dhe të dhimbshme”, u tha Zelenskyy gazetarëve në Washington, sipas agjencisë ukrainase të lajmeve RBC-Ukrainë.
“Prandaj, konfirmova, dhe mora mbështetjen e të gjithë udhëheqësve evropianë, se jemi gati për një takim dypalësh me Putinin, dhe pas kësaj, pres një takim trepalësh”, shtoi ai.
Zelenskyy njoftoi gjithashtu se garancitë e sigurisë për vendin e tij do të formalizohen brenda 7 deri në 10 ditësh dhe përfshijnë një paketë armësh amerikane me vlerë 90 miliardë dollarë.
“Garancitë e sigurisë ndoshta do të reklamohen me partnerët tanë dhe do të ketë gjithnjë e më shumë detaje… E gjithë kjo do të jetë në letër, do të formalizohet disi javën e ardhshme, për 10 ditë”, tha ai.
Ai theksoi se paketa e armëve përqendrohet “kryesisht te avionët, sistemet e mbrojtjes ajrore, etj.”, të cituar nga Interfax-Ukrainë.
Zelenskyy gjithashtu theksoi se çështjet territoriale do të jenë në agjendë në bisedimet e drejtpërdrejta me Putinin, duke vënë në dukje se pati mundësinë ta diskutonte çështjen me presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe ekipin e tij duke përdorur harta për herë të parë, “pa lexuar në copa letre”.
Komentet e tij erdhën pasi Trump priti atë dhe udhëheqësit e vendeve evropiane në Shtëpinë e Bardhë, ku diskutuan hapat e mëtejshëm në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Ndër zyrtarët që morën pjesë në bisedime të hënën ishin kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Friedrich Merz, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dhe presidenti finlandez, Alexander Stubb. Në takim gjithashtu mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte.
Pas takimit, Trump njoftoi në platformën e tij të mediave sociale Truth Social se i kishte telefonuar Putinit.
“Në përfundim të takimeve, e thirra Presidentin Putin dhe fillova përgatitjet për një takim, në një vend që do të përcaktohet më vonë, midis presidentit Putin dhe presidentit Zelenskyy. Pasi të zhvillohet ky takim, do të kemi një takim trilateral, që do të jenë të dy presidentët, plus unë”, shkroi ai.
“Përsëri, ky ishte një hap shumë i mirë dhe i hershëm për një luftë që ka vazhduar për gati katër vjet” shtoi ai.