“Koha për të ruajtur presionin ndaj Rusisë” – Macron reagon pas takimit Trump-Putin
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se udhëheqësit evropianë bien dakord se është thelbësore të “mbahet presioni mbi Rusinë” derisa të arrihet paqja në Ukrainë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale Macron shprehet se ata janë gjithashtu të një mendjeje në qëndrimin e tyre se, paqja në Ukrainë “duhet të shoqërohet me garanci të palëkundura sigurie” dhe ai mirëpret “gatishmërinë” e SHBA-së për të kontribuar.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, mbështeti deklaratën e Macron, duke thënë se “garancitë e forta dhe të besueshme të sigurisë” janë thelbësore për paqen në Ukrainë.
Nga ana tjetër kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha se është hapur një “shkëndijë shprese” për diskutimin e paqes në Ukrainë, ndërsa shtoi se: “Italia po bën pjesën e saj përkrah aleatëve të saj perëndimorë”.
Më herët kryeministri britanik Keir Starmer reagoi përmes një deklarate në lidhje me samitin e Trump dhe Putin në Alaskë duke u shprehur se, “përpjekjet e Presidentit Trump na kanë sjellë më afër se kurrë më parë përfundimit të luftës së paligjshme të Rusisë në Ukrainë”.

