Zelensky: Duhet paqe e vërtetë, jo vetëm një tjetër pauzë mes pushtimeve ruse

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka lëshuar një deklaratë tjetër pas takimit të presidentit amerikan, Donald Trump me homologun rus, Vladimir Putin, duke këmbëngulur se “duhet arritur paqe e vërtetë” dhe jo “vetëm një tjetër pauzë mes pushtimeve ruse”.
Komentet e tij vijnë pasi nga bisedimet në Alaska nuk doli ndonjë marrëveshje armëpushimi, ku presidenti ukrainas nuk ishte i ftuar.
Trump më pas tha se të gjitha palët janë dakord që të ndjekin një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, duke anashkaluar një marrëveshje të mundshme armëpushimi paraprakisht.
“U përcaktua nga të gjithë se mënyra më e mirë për të përfunduar luftën e tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës është të kalojmë drejtpërdrejt në një Marrëveshje Paqeje, e cila do ta ndalonte luftën, dhe jo në një Marrëveshje Armëpushimi, e cila shpesh nuk qëndron”, pohoi 79-vjeçari.
Ndërkohë, liderët evropianë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku kërkojnë një takim trilateral – Trump, Zelensky dhe Putin.
Ndryshe, Trump ka paralajmëruar se gjatë ditës së hënë do ta takojë Zelenskyn në Zyrën Ovale.