Policia me detaje: Një i arrestuar dhe padi penale për 7 persona tjerë për duelin Kozhufi – Bashkimi

Policia me detaje: Një i arrestuar dhe padi penale për 7 persona tjerë për duelin Kozhufi – Bashkimi

Ndeshja e shumë përfolur ndërmjet Kozhufit dhe Bashkimit rikthehet sërish temë diskutimi, por kësaj radhe me detaje më të hollësishme nga Ministria e Punëve të Brendshme. Këta të fundit kanë njoftuar sot se kanë pasur bastisje në dy vende dhe kanë privuar nga liria një person për këtë duel që dyshohet për trukim.

“Sot (15.08.2025), zyrtarë policorë nga Departamenti për Policinë Kriminale, me urdhër të siguruar paraprakisht nga Gjykata Themelore e Gjevgjelisë, kanë kryer bastisje në dy lokacione te P.Gj. nga Gjevgjelia, drejtor sportiv i KF ‘Kozhuf’ nga Gjevgjelia dhe pas zhvillimit të një procedure paraprake hetimore, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Themelore Publike Gjevgjeli, Departamenti për Krim të Organizuar ka dorëzuar kallëzim penal kundër B.H., kryetar i KF ‘Bashkimi’ nga Kumanova për veprat penale ‘mashtrim’ sipas nenit 247 paragrafi 6 të Kodit Penal, ‘dhënie e paautorizuar e dhuratave’ sipas nenit 253-a paragrafi 4 të KP-së dhe ‘bashkëveprim’ sipas nenit 22 të KP-së, si dhe kundër P. Gj., drejtor sportiv i KF ‘Kozhuf’, për veprat penale ‘mashtrim’ sipas nenit 247 paragrafi 6 të KP-së, ‘pranim i paautorizuar i dhuratave’ sipas nenit 253 paragrafi 4 të KP-së dhe ‘bashkëveprim’ sipas nenit 22 të KP-së, si dhe kundër A.J., futbollist i KF ‘Bashkimi’, S.G., trajner i KF ‘Kozhuf’, B.K., J.P. dhe K.S., të tre futbollistë të KF ‘Kozhuf’, për veprat penale ‘mashtrim’ sipas nenit 247 paragrafi 6 dhe ‘bashkëveprim’ sipas nenit 22 të KP-së”, thonë nga MPB.

I kallëzuari i parë B.H., në cilësinë e kryetarit të KF ‘Bashkimi’, me qëllim që klubi i tij futbollistik të arrijë plasman në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë apo në ndeshjet e barazhit për hyrje në këtë ligë, në ndeshjen e zhvilluar më 06.05.2025 në Gjevgjeli ndërmjet ekipeve KF ‘Kozhuf’ dhe KF ‘Bashkimi’, ka mashtruar Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhe klubet e tjera anëtare të federatës, duke fshehur fakte që lidhen me një ndeshje të trukuar apo rezultat të rregulluar të lojës sportive, përmes dhënies së paautorizuar të dhuratave për të kallëzuarin e dytë P. Gj., me qëllim që ky i fundit të neglizhojë interesat e KF ‘Kozhuf’ dhe të Federatës së Futbollit të Maqedonisë që ka organizuar ndeshjen, për të arritur një rezultat që nuk varet nga loja sportive dhe rregullat e ndeshjes.

“Në këtë mënyrë, i kallëzuari i parë përmes të kallëzuarit të tretë A.J., ka organizuar një takim dhe ka siguruar kontakt telefonik me të kallëzuarin e dytë P. Gj., në të cilin takim kanë marrë pjesë të kallëzuarit i parë, i dytë dhe i tretë, ku i kallëzuari i dytë është pajtuar të pranojë dhe ka pranuar një dhuratë nga i kallëzuari i parë, para në vlerë prej 10.000 eurosh, për veten dhe persona të tjerë. P. Gj. pas pranimit të shpërblimit, përmes S.G. ka ndikuar te B.K., J.P. dhe K.S., të cilët kanë pranuar të mos angazhohen mjaftueshëm në ndeshje sipas aftësive të tyre sportive dhe lojës futbollistike, duke neglizhuar interesat e KF ‘Kozhuf’, në favor të KF ‘Bashkimi’.

Si rezultat, në ndeshje është arritur rezultati 1:2 në favor të KF ‘Bashkimi’ dhe me këto tre pikë të fituara, i kanë mundësuar KF ‘Bashkimi’ të renditet në vendin e tretë në Ligën e Dytë të Futbollit të Maqedonisë, gjë që u ka dhënë mundësinë të luajnë në barazh për plasman në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë. Njëri nga të kallëzuarit, sipas udhëzimeve të prokurorit publik, është privuar nga liria për sigurimin e provave shtesë dhe është dërguar në Prokurorinë Themelore Publike Gjevgjeli për procedurë të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

MARKETING