Italia “absolutisht kundër” planit izraelit për të pushtuar Gazën

Italia “absolutisht kundër” planit izraelit për të pushtuar Gazën

Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, ka deklaruar se vendi i tij është “absolutisht kundër” planit të Izraelit për të pushtuar Gazën, transmeton Anadolu.

“Ne jemi absolutisht kundër”, tha Tajani në një intervistë për Quotidiano Nazionale, duke theksuar se një gjë e tillë minon zgjidhjen me dy shtete, e cila është “zgjidhja e vetme e mundshme për paqen”.

Ai theksoi se po përballen me një “masakër” në Gaza dhe bëri thirrje për lejimin e hyrjes së gazetarëve në rajon, në mënyrë që ata të mund të “raportojnë në mënyrë të pavarur mbi situatën dramatike në enklavë”.

“Ne jemi për njohjen e Palestinës, por së pari duhet të ndërtojmë një shtet palestinez, i cili aktualisht nuk ekziston. Kështu që po punojmë për ta ndërtuar. Prandaj, ne gjithashtu mbështesim një mision të OKB-së, të udhëhequr nga arabët, për të unifikuar Palestinën. Dhe në këtë kontekst, jemi gjithashtu gati të dërgojmë trupat tona. Më 1 shtator, po ashtu, dua të shtoj se ministri palestinez i jashtëm do të vijë në Romë”, tha Tajani.

– Samiti në Alaska

Më tej, Tajani komentoi edhe mbi samitin në Alaska midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, duke e përshkruar atë si një “pikë kthese” pas së cilës mund të fillojnë negociatat reale.

“Nuk e di sa i gatshëm do të jetë ai (Putin) të dëgjojë kërkesat e Trumpit dhe sa dëshiron të arrijë një armëpushim për t’i dhënë fund luftës shpejt. Pyetja, pra, nuk është aq se çfarë do të kërkojë Trumpi, por se çfarë do të jetë i gatshëm të pranojë Putini. Topi është në fushën e tij. Ai duhet të thotë nëse dëshiron dialog, nëse dëshiron të takohet me Zelenskyyn apo jo”, tha ai.

Shefi i diplomacisë italiane gjithashtu theksoi se gjithçka që ka të bëjë me Ukrainën duhet të vendoset nga vetë Ukraina së bashku me palët e përfshira, duke theksuar se “një marrëveshje paqeje nuk mund të bëhet mbi kokën e Ukrainës”.

“Pas armëpushimit, do të duhet të hapen negociata të drejtpërdrejta, siç u përmend, midis Zelenskyyt dhe Putinit. Në atë moment, Ukraina do të duhet të vendosë vetë për territoret e saj. Askush tjetër nuk mund të vendosë për ndonjë territor ukrainas”, theksoi ai.

MARKETING