Kancelari gjerman: Putini t’u japë fund armiqësive në Ukrainë

Kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin të bie dakord për armëpushim dhe t’u japë fund armiqësive në Ukrainë, duke e nxitur atë të shfrytëzojë mundësinë diplomatike të ofruar nga samiti i Alaskës, transmeton Anadolu.
“Tre vjet e gjysmë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili shkeli të drejtën ndërkombëtare, Rusia tani ka mundësinë të bie dakord për armëpushim dhe t’u japë fund armiqësive”, tha Merz në një deklaratë, duke përshkruar qëndrimin e Gjermanisë përkrah aleatëve evropianë.
“Ne presim që presidenti Putin ta marrë seriozisht ofertën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për bisedime dhe të hyjë në negociata me Ukrainën pa kushte pas takimit në Alaskë”, tha ai duke iu referuar takimit me shumë rëndësi midis Trumpit dhe Putinit të planifikuar për sot.
Në deklaratën e tij të detajuar, Merz tha se vendet evropiane kanë zhvilluar qëndrim të unifikuar përpara takimit të Alaskës dhe përsëriti mbështetjen e tyre për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
“Në ditët e fundit, Gjermania, së bashku me Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë, ka treguar rrugën drejt paqes që mbron interesat themelore të sigurisë së Evropës dhe Ukrainës. Qëllimi duhet të jetë një samit ku do të marrë pjesë presidenti Zelenskyy. Një armëpushim duhet të arrihet atje”, tha Merz.
“Ukraina ka nevojë për garanci të forta sigurie. Çështjet territoriale mund të zgjidhen vetëm me pëlqimin e ukrainasve. Ne ia përcollëm këto mesazhe presidentit Trump me qartësi dhe unitet gjatë rrugës së tij për në Anchorage. Unë mbetem në kontakt me të për këtë çështje”, shtoi ai.
Kancelari gjerman shprehu mirënjohje për iniciativën diplomatike të Trumpit dhe nënvizoi se mund të mbështetet në mbështetjen e vazhdueshme të evropianëve për Ukrainën.
“Presidenti Trump tani mund të bëjë një hap të rëndësishëm drejt paqes. Për këtë iniciativë dhe koordinimin e ngushtë të ditëve të fundit, i shprehim mirënjohjen tonë. Gjatë bisedës sonë të fundit me partnerët evropianë, e siguruam atë për mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën. Presidenti Trump mund të mbështetet në këtë”, tha Merz.