Dinamo bën historinë, eliminon gjigantët e Hajdukut dhe siguron ‘play-off’-in e Conference League

Një natë magjike në “Air Albania” për Dinamon e Tiranës! Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja mposhti 3-1 Hajdukun e Splitit në ndeshjen e kthimit të turit të tretë kualifikues të Conference League, duke siguruar për herë të parë në histori kalimin e dy tureve në garat evropiane.
Pas humbjes 2-1 në sfidën e parë në Kroaci, “Blutë” hynë në fushë me vendosmëri dhe energji të re. Goli i Zabërgjës në minutën e 14-të, pas një asistimi perfekt nga Bregu, ndezi entuziazmin në shkallët e stadiumit. Në minutën e 78-të, Hajduku mbeti me një lojtar më pak, pas kartonit të kuq për Sanyang, por koha e rregullt u mbyll vetëm 1-0, duke çuar gjithçka në shtesë.
Në minutën e 99-të, Karacic barazoi për kroatët, duke tensionuar atmosferën. Megjithatë, Dinamo reagoi me karakter: në minutën e 109-të, Qardaku realizoi një supergol nga 25 metra, ndërsa vetëm pak minuta më pas Hekuran Berisha vulosi fitoren 3-1.
Në fund, festa ishte e gjitha blu. Ky është kualifikimi i 14-të në karrierë për Ilir Dajën, i cili tashmë do të përballet me polakët e Jagiellonias në fazën ‘play-off’ të Conference League. Një sukses historik për Dinamon, që shkroi një faqe të re të lavdishme në futbollin shqiptar.