Izraeli planifikon të miratojë projektin “E1” kundër krijimit të shtetit palestinez

Ministri izraelit i Financave nga ekstremi i djathtë, Bezalel Smotrich tha se për të “eliminuar idenë e një shteti palestinez” planifikon të miratojë projektin “E1”, i cili do të zgjerojë vendbanimet që u janë grabitur palestinezëve në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të “The Times of Israel”, Smotrich tha se do të miratojë tenderin për ndërtimin e 3.401 shtëpive midis Kudsit Lindor të pushtuar nga Izraeli dhe vendbanimit Ma’ale Adumim, të themeluar në tokën që u është grabitur palestinezëve në Bregun Perëndimor.
“Miratimi i planeve të ndërtimit në ‘E1’ eliminon idenë e një shteti palestinez”, deklaroi Smotrich duke pretenduar se pavarësisht presionit nga komuniteti ndërkombëtar ata e kanë lidhur me Kudsin vendbanimin e paligjshëm Ma’ale Adumim.
Këshilli i Lartë i Planifikimit të Administratës Civile të Izraelit do të mblidhet më 20 gusht për të dhënë miratimin përfundimtar të planit për ndërtimin e 3.401 shtëpive të paligjshme në kuadër të projektit “E1”.
Në një deklaratë nga organizata joqeveritare izraelite “Peace Now” (Paqe Tani) thuhet se “Projekti E1 përbën kërcënim vdekjeprurës për të ardhmen e Izraelit dhe arritjen e një zgjidhjeje paqësore me dy shtete. Ne jemi në buzë të një gremine dhe qeveria po na shtyn përpara me shpejtësi të plotë”.
Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Autoriteti Palestinez dhe Bashkimi Evropian, kundërshtojnë projektin “E1”, i cili planifikon të ndajë territoret palestineze në Bregun Perëndimor dhe të ndajë Kudsin nga territoret palestineze nga të gjitha anët.
Thuhet se veprimi në fjalë do të shkatërrojë çdo shans për një zgjidhje me dy shtete.
– Synon të ndërpresë lidhjen midis Kudsit Lindor dhe Bregut Perëndimor
Projekti “E1” u lançua për të lidhur vendbanimin Maale Adumim të ndërtuar pranë lagjes palestineze Azeriye, historikisht pjesë e Kudsit Lindor, por e vendosur në anën e Bregut Perëndimor të Murit të Ndarjes (Muri i Turpit), me rrugën që të çon në Kudsin Perëndimor.
Në kuadër të kësaj, 12 mijë hektarë tokë palestineze u uzurpuan për të ndërtuar më shumë se 4.000 vendbanime dhe hotele në rajon. Me projektin “E1” synohet izolimi dhe shkëputja e lidhjes së Kudsit Lindor nga territoret palestineze në Bregun Perëndimor.
Në kuadër të këtij projekti më shumë se 5.000 palestinezë mund të zhvendosen nga tokat e tyre. OKB-ja i konsideron të paligjshme vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze.
Në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), organi më i lartë gjyqësor i OKB-së njoftoi vendimin e saj ku i kërkon Izraelit të ndalojë të gjitha “aktivitetet e reja të vendbanimeve” dhe largimin e izraelitëve nga të gjitha tokat palestineze që kanë pushtuar, por Izraeli e refuzoi vendimin.