(VIDEO) Raporti i DASH: Dhuna dhe kërcënimet e gazetarëve mbetet problem serioz

(VIDEO) Raporti i DASH: Dhuna dhe kërcënimet e gazetarëve mbetet problem serioz

Në raportin e fundit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut, Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se nuk ka ndryshime të rëndësishme krahasuar me të kaluarën, por se kufizimet serioze të lirisë së shprehjes dhe mediave, përfshirë dhunën dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, mbeten një problem i madh. Sipas këtij raporti, dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve ishin një çështje e rëndësishme e të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut.

RAPORTI I DEPARTAMENTIT TË SHTETIT

Edhe pse Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes, ajo minohet nga disa faktorë. Shoqatat e mediave dhe organizatat civile theksojnë rritjen e numrit të padive strategjike kundër gazetarëve (të ashtuquajturat padi SLAPP), sjelljen e papërshtatshme të funksionarëve publikë në komunikimin me punonjësit e mediave, si dhe presionin e papërshtatshëm ndaj gazetarëve që hetojnë korrupsionin”.

Në raport citohet edhe organizata “Reporterë pa Kufij”, e cila vlerëson se për shkak të polarizimit të fortë politik, mediat janë nën presion nga autoritetet, politikanët dhe biznesmenët. Theksohet se dy partitë më të mëdha politike kanë krijuar sisteme mediatike paralele mbi të cilat ushtrojnë ndikim politik dhe ekonomik, ndërsa shërbimit publik i mungon pavarësia redaktuese dhe financiare.

Departamenti Amerikan i Shtetit vëren edhe ndryshimet në Ligjin për shërbimet audio dhe audiovizive, me të cilat u mundësua reklamimi qeveritar në mediat komerciale për fushata të “interesit të lartë publik”. Shoqatat e pavarura të mediave shprehën shqetësimin se kjo përbën rikthim të korrupsionit dhe klientelizmit në media.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING