(VIDEO) Pas bllokadës dyvjeçare, licencat për punë në kopshte sërish aktive

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani ka njoftuar se është zhbllokuar procesedura e provimeve profesionale për marrje të licencave të punës në institucionet e fëmijëve, proces ky, i cili sipas Limanit, kishte ngecur dhe ishte bllokuar nga viti 2023.
Ai theksoi se licenca e punës për edukatorët, përkëdhelësit, punëtorët profesionalë, bashkëpunëtorët dhe drejtorët janë parakusht i detyrueshëm për punësim në kopshte.
FATMIR LIMANI, MINISTËR I POLITIKËS SOCIALE
“Për shkak të sistemit elektronik jofunksional për procesin e provimit, një numër i madh kandidatësh nuk kishin qasje në të, gjë që shkaktoi vonesë pikërisht kur kishim nevojë më të madhe për kuadër në kopshte në nivel kombëtar. Me qëllim tejkalimin e kësaj situate, bëmë ndryshime në Ligjin e Mbrojtjes së Fëmijëve, të cilat lejojnë që provimi profesional të zhvillohet në formë letre si zgjidhje e përkohshme, deri më 1 janar 2026. Pas këtij afati, procesi i licencimit do të vazhdojë në mënyrë elektronike”
Limani njoftoi se sot, rreth 350 persona po i nënshtrohen provimit, dhe deri në fund të këtij muaji, edhe 350 kandidatë të tjerë do të kenë mundësinë ta përfundojnë këtë proces. Ai nënvizon se të gjitha kërkesat e pranuara për marrje të licencës po shqyrtohen në detaje dhe secili kërkues do të kontaktohet nga ana e Komisionit. Ministri theksoi se me ndryshimin e ligjit krijohen kushte për punësime të reja dhe mbështeten profesionistët e rinj.
Mevludin Imeri /SHENJA/