(VIDEO) Shqipëri, gjashtë fshatra të djegur në Gramsh, rritet numri i të evakuuarve

Situata e zjarreve në Gramsh të Shqipërisë vijon të jetë ende kritike. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve duke shkaktuar krijimin e vatrave të reja në disa zona. Deri tash gjashtë fshatra janë shkrumbuar totalisht.
Zjarrfikësit po bëjnë luftë të paepur për të mos lejuar përhapjen e zjarreve në vendet më të populluara. Por, kjo luftë po i sfilit ata…
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile bën një bilanc të situatës së zjarreve, duke theksuar se janë mbi 10,000 forca në terren.
Haki Çako, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile
Përveç autoriteteve edhe banorët në Gramsh janë angazhuar duke mbushur kova me ujë dhe duke ndërhyrë vetë për fikjen e zjarrit në zonë, konkretisht në Harunas.
Për siituatën ka reaguar disa herë kryeministri Edi Rama. Ai ka mohuar akuzat në lidhje me nevojën për blerjen e avionëve zjarrfikës, duke theksuar se, megjithëse mund të ishte mirë që Shqipëria të kishte më shumë mjete ajrore, zjarret e ditëve të fundit nuk mund të trajtohen vetëm me avionë.
Ky zjarr masiv nisi pas veprimit të pakujdesshëm të një 80-vjeçari në fshatin Kullollas, i cili ndezi zjarr në kopshtin e banesës, por pasi doli jashtë kontrollit, flakët u përhapën masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Si pasojë e asfiksimit, 80 vjeçari humbi jetën. /SHENJA/