Mickoski në 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit: Bashkë jemi më të fortë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë seancës solemne të mbajtur me rastin e 24-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, theksoi rëndësinë historike dhe simbolike të këtij pakti. Ai u shpreh se Marrëveshja e vitit 2001 solli paqe dhe siguroi ruajtjen e karakterit unitar të shtetit.
“Marrëveshja Kornizë e Ohrit 24 vjet më pas solli paqe. Solli stabilitet dhe siguroi ruajtjen e Maqedonisë unitare. Nuk është vetëm një letër, por një simbol i pjekurisë, guximit dhe mençurisë”, deklaroi Mickoski.
Duke iu drejtuar qytetarëve, ai nënvizoi se pavarësisht dallimeve në gjuhë, fe apo etni, të gjithë ndajnë një histori dhe një të ardhme të përbashkët.
“Maqedonia mund të jetë shtëpi për të gjithë qytetarët e saj. Dallimet tona janë përparësi, jo pengesë. T’u tregojmë të gjithëve se mbetemi të përkushtuar në rrugën e paqes dhe bashkëjetesës”, tha ai, duke shtuar: “Bashkë jemi më të fortë. Të rrojë atdheu ynë i përbashkët!”