Mexhiti: Marrëveshja e Ohrit i vendosi themelet për bashkëjetesë të re mbi parimet e demokracisë

Në një ceremoni solemne të organizuar nën patronatin e zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, u shënua 24-vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, një moment historik për shtetin dhe bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Në fjalën e tij, Mexhiti theksoi simbolikën e thellë që mbart kjo marrëveshje, duke rikujtuar zgjedhjen historike që u bë më 2001.
“Sot, 24 vite pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, kujtojmë momentin kur zgjodhëm paqen mbi luftën dhe të ardhmen mbi frikën,” tha Mexhiti, duke e cilësuar dokumentin si vizionar dhe themelor për ndërtimin e një Maqedonie të barabartë.
Ai nënvizoi se Marrëveshja e Ohrit vendosi themelet e një shoqërie ku shqiptarë, maqedonas dhe të gjitha bashkësitë etnike bashkëjetojnë dhe kontribuojnë për një të ardhme të përbashkët.
“Le ta mbrojmë dhe ta përparojmë këtë shtëpi të përbashkët, Maqedoninë e Veriut, me unitet, dialog dhe besim të ndërsjellë!“ – përfundoi ai, duke bërë thirrje për përkushtim të vazhdueshëm ndaj frymës dhe vlerave të Marrëveshjes.