SHBA, përkujtohen gazetarët e vrarë qëllimisht nga Izraeli në Gaza

SHBA, përkujtohen gazetarët e vrarë qëllimisht nga Izraeli në Gaza

Protestuesit pro-palestinezë mbajtën një përkujtim në Washington të SHBA-së për të kujtuar gazetarët e vrarë qëllimisht nga Izraeli në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Grupi u mblodh jashtë zyrave dhe studiove kryesore të medias, përfshirë Fox dhe NBC në kryeqytetin e vendit për të ngritur zërin kundër vrasjes së gazetarëve nga Izraeli. Gazetarët e Al Jazeera Arabic në Gaza, Anas al-Sharif, Mohammed Qreiqeh dhe 3 të tjerë u vranë të dielën vonë në një sulm izraelit që synonte një tendë gazetarësh pranë spitalit “Al-Shifa” në qytetin e Gazës.

Sipas Zyrës së medias të qeverisë së Gazës, numri i gazetarëve të vrarë është rritur në 238 që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza në fund të vitit 2023.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka vazhduar luftën gjenocidale në Gaza që nga tetori 2023, duke vrarë më shumë se 61 mijë palestinezë, pothuajse gjysma e tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me zi buke.

Pavarësisht shqetësimeve në rritje ndërkombëtare në lidhje me përshkallëzimin e spastrimit etnik dhe gjenocidit kundër palestinezëve, Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi të premten planin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të zgjeruar operacionet ushtarake dhe për të pushtuar qytetin e Gazës.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), në vendimin e saj të përkohshëm për Gazën vitin e kaluar, tha se është “e besueshme” që veprimet e Izraelit mund të përbëjnë gjenocid.

Gjykata lëshoi masa të përkohshme, duke kërkuar që Izraeli të zbatojë ligjin ndërkombëtar dhe të sigurojë që ndihma dhe shërbimet të arrijnë te palestinezët nën rrethim në Rripin e Gazës.

MARKETING