Erdoğan: Turqia mobilizon të gjitha burimet dhe përpjekjet diplomatike për të sjellë shpresë në Gaza

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, pas një takimi të kabinetit të tij në Ankara ka deklaruar se kanë mobilizuar “të gjitha burimet dhe aftësitë diplomatike të vendit tonë për të sjellë shpresë në Gaza”, raporton Anadolu.
“Nuk do të lejojmë që Netanyahu dhe rrjeti i tij vrasës ta fusin rajonin tonë në fatkeqësi edhe më të mëdha për të zgjatur jetën e tyre politike”, tha Erdoğan.
Izraeli ka vrarë të paktën 61.500 njerëz në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe ka shkaktuar një krizë humanitare në thellim, duke përfshirë vdekje nga uria, sëmundje dhe migrim të detyruar.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.