(VIDEO) Asnjë ushtarak shqiptar në misionet diplomatike

Në letër, ushtria është e gjithë qytetarëve, uniforma nuk njeh etni, flamuri përfaqëson të gjithë, por realiteti i fundit në Maqedoninë e Veriut tregon të kundërtën, Armata qenka për të gjithë, por jo edhe për shqiptarët. Këtë e vërteton edhe fakti se më 28 korrik dhe 1 gusht 2025, Ministria e Mbrojtjes publikoi vendimet për dërgimin e kuadrove ushtarakë në misionet ndërkombëtare të NATO-s dhe OSBE-së. Janë zgjedhur ushtarakë për pozita të larta, përfaqësuese, strategjike – por në mesin e tyre nuk ka asnjë shqiptar. Sipas vendimeve zyrtare të publikuara, janë zgjedhur persona për detyra të larta ushtarake dhe administrative në Shtabin e Forcave Aleate të NATO-s në Napoli, Itali
Përfaqësinë diplomatike të Maqedonisë së Veriut pranë NATO dhe BE-së në Bruksel, Belgjikë
Shtabin Ndërkombëtar Ushtarak të NATO-s në Bruksel
Misionin e përhershëm pranë OSBE-së në Vjenë, Austri
Shtabin e Forcave të NATO-s për dislokim të shpejtë në Selanik, Greqi
Pozicionet e përzgjedhura përfshijnë role të rëndësishme si oficerë të operacioneve, sigurisë dhe inteligjencës, luftës hibride dhe kundër-terrorizmit, si dhe detyra administrative dhe të komandës.
Megjithatë, pavarësisht faktit se shqiptarët përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë në listën zyrtare të emëruarve nuk ka asnjë shqiptar. Por, së fundi kjo ministri ka ngelur pa kuadër shqiptar, pas dorëheqjes së zëvendësministres së mbrojtjes, Elfete Ismaili, e cila braktisi detyrën pas daljes së ASH-së nga Qeveria.
Se shqiptarët janë të padëshiruar në armatë, e dëshmon edhe vendimi I Presidentës së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila në mars të këtij viti, vendosi që njërin ndër gjeneralët më të sukseshëm, Besnik Emini, i njohur për profesionalizëm, integritet dhe përkushtim në shërbim të Armatës, ta zhvendos nga posti i Komandantit të Komandës së Operacioneve – një pozicion kyç që mbulon rreth 80% të kapaciteteve operative të ushtrisë – drejt një pozite administrative në Ministrinë e Mbrojtjes.
Për këtë fenomen, edhe partitë opozitare shqiptare, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, kanë ngritur alarmin, se në konkursin e fundit në Armatë, janë punsuar 71 persona të etninetin maqedonas dhe vetëm një shqiptarë.
Rasti i fundit i përjashtimit të shqiptarëve nga Armata e Maqedonisë së Veriut është një pasqyrë e qartë e pabarazisë strukturore dhe mungesës së përfaqësimit të barabartë në institucionet shtetërore. Në një shtet që aspiron integrim të plotë euroatlantik dhe që mbështet retorikën e barazisë etnike, praktikat e tilla dërgojnë një mesazh të rrezikshëm për bashkëjetesën dhe kohezionin shoqëror. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kërkojnë privilegje, por vetëm respektimin e të drejtave të tyre të garantuara dhe përfaqësim të drejtë në çdo hallkë të shtetit.
Samir Mustafa /SHENJA/