Ukraina dhe Evropa ‘vendosin vijat e kuqe’, kundërshtojnë propozimin e Putinit për armëpushim

Ukraina dhe Evropa ‘vendosin vijat e kuqe’, kundërshtojnë propozimin e Putinit për armëpushim

Zyrtarët ukrainas dhe evropianë hodhën poshtë propozimin e presidentit rus Vladimir Putin për një armëpushim në këmbim të lëshimit të territoreve nga Kievi ndaj Rusisë, raportoi Wall Street Journal (WSJ).

Zyrtarët e BE-së dhe Ukrainës në vend të kësaj ofruan një kundërpropozim për zyrtarët amerikanë përpara një takimi të planifikuar midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Putinit më 15 gusht në Alaska.

Putin i tha të dërguarit të SHBA-së Wikoff gjatë një takimi më 6 gusht se Rusia do të binte dakord për një armëpushim të plotë nëse Kievi tërhiqte forcat e tij nga Oblasti i Donetskut, duke i dhënë Moskës kontroll të plotë mbi rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, si dhe Krimenë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e hodhi poshtë me vendosmëri më 9 gusht idenë e lëshimit të çdo territori ukrainas për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, me bisedimet mbi propozimin që filluan në Mbretërinë e Bashkuar me zyrtarë të SHBA-së, Ukrainës dhe BE-së më 9 gusht.

Dy zyrtarë evropianë të njohur me bisedimet i thanë WSJ se Evropa synon të tërheqë një vijë të kuqe të unifikuar me Ukrainën, duke vendosur që zyrtarët e BE-së të përfshihen në çdo negociatë të mundshme paqeje me Rusinë dhe duke përsëritur se e ardhmja e Ukrainës nuk mund të diskutohet pa pjesëmarrjen e Kievit.

Ky zhvillim vjen pasi Trump ka sugjeruar se do ta përfshijë Ukrainën në negociatat e ardhshme vetëm pas një takimi fillestar me Putinin, përcjell Telegrafi.

Kundërpropozimi i paraqitur zëvendëspresidentit J.D. Vance, Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, të dërguarit të Trumpit për Ukrainën, Keith Kellogg, dhe Witkoff, kërkon gjithashtu që të miratohet një armëpushim përpara se të ndërmerren hapa të mëtejshëm, duke shtuar se territori mund të shkëmbehet vetëm në mënyrë reciproke.

New York Times raportoi më 9 gusht, duke cituar dy zyrtarë të BE-së, se udhëheqësit evropianë janë gjithnjë e më të shqetësuar se Trump dhe Putin do të formulojnë një marrëveshje që më pas do t’i imponohet Ukrainës.

“Nuk mund të fillosh një proces duke lëshuar territor në mes të luftimeve”, tha një negociator evropian për WSJ, mes komenteve të Trumpit më 8 gusht se Moska dhe Kievi ka të ngjarë të përfshijnë “disa shkëmbime territoresh”.

“Epo, po shqyrtojmë territorin për të cilin është luftuar për tre vjet e gjysmë… Pra, po e shqyrtojmë këtë, por në të vërtetë po kërkojmë të marrim disa mbrapsht”, tha Trump gjatë një konference për shtyp së bashku me udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit.

“Disa shkëmbime, është e komplikuar.”

“Do të marrim disa mbrapsht. Do të ndërrojmë disa. Do të ketë disa shkëmbime territoresh në dobi të të dyve”, shtoi Trump.

Duke shprehur shqetësim për hapjen e SHBA-së për të filluar negociatat rreth kornizës së propozimit të Putinit, si dhe skepticizmin ndaj respektimit të armëpushimit nga ana e Putinit, një zyrtar evropian i tha WSJ se “propozimi është shumë më i keq nga sa tha Trump në telefonatë”, me një tjetër që shtoi se i jep “Putinit gjithçka që dëshiron në këmbim të asgjëje”.

Zelensky, i cili nuk ishte i pranishëm personalisht për diskutimet, zhvilloi telefonata gjatë gjithë ditës me udhëheqësit evropianë, përfshirë udhëheqësit e Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Finlandës, Spanjës, Danimarkës dhe Estonisë, duke kërkuar një qasje të unifikuar ndaj propozimeve.

Në një postim në X, presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se “e ardhmja e Ukrainës nuk mund të vendoset pa ukrainasit që kanë luftuar për lirinë dhe sigurinë e tyre për më shumë se tre vjet tani”, duke shtuar se “evropianët gjithashtu domosdoshmërisht do të jenë pjesë e zgjidhjes, pasi kjo ka të bëjë me sigurinë e tyre”. /Telegrafi/

MARKETING