(VIDEO) Zgjedhjet lokale më 19 tetor, kryeparlamentari Gashi e nënshkroi vendimin

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i shpalli zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 19 tetor. Me shpalljen e zgjedhjeve fillojnë të rrjedhin afatet për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe sipas kalendarit që duhet ta miratojë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
AFRIM GASHI, KRYETAR I KUVENDIT
“Në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, legjislacionin në fuqi, si dhe në ushtrim të kompetencave të mia si Kryetar i Kuvendit, kam nderin dhe përgjegjësinë institucionale t’ju njoftoj se sot, zyrtarisht, e nënshkrova Vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor 2025”.
Vendimi është dërguar tek organet kompetente për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve. Gashi informoi se gjatë fushatës zgjedhore, e cila fillon njëzet ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, Kuvendi do të vazhdojë funksionimin e tij të rregullt administrativ, por nuk do të mbajë seanca plenare.
AFRIM GASHI, KRYETAR I KUVENDIT
“Ky vendim synon të shmangë keqpërdorimin e foltores parlamentare për qëllime elektorale dhe t’u japë deputetëve mundësinë të përkushtohen plotësisht ndaj komunikimit me qytetarët. Dua të theksoj se zgjedhjet nuk janë thjesht një proces teknik, por janë thelbi i demokracisë sonë. Ato janë një mundësi reale për qytetarët që të zgjedhin udhëheqës që reflektojnë përgjegjësi, vizion dhe përkushtim ndaj interesit publik”.
Kryeparlamentari Gashi I bëri thirrje të gjitha forcave politike, kandidatëve dhe strukturave përkatëse që të tregojnë nivel të lartë të kulturës politike, të shmangin çdo formë presioni, fjalori përçarës dhe çdo tentativë për të instrumentalizuar institucionet dhe burimet publike për interesat partiake.
Me shpalljen e zgjedhjeve fillojnë të rrjedhin afatet për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe sipas kalendarit që duhet ta miratojë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Rrethi i parë i zgjedhjeve për kryetar komune dhe anëtarë të këshillave të 80 komunave dhe Qytetit të Shkupit do të mbahet më 19 tetor. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune duhet të mbahet më 2 nëntor, në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku zgjedhjet nuk do të përfundojnë në rrethin e parë. /SHENJA/