Familjet e pengjeve izraelitë protestojnë jashtë shtëpisë së ministrit të mbrojtjes kundër planit për Gazën

Familjet e pengjeve izraelitë protestojnë jashtë shtëpisë së ministrit të mbrojtjes kundër planit për Gazën

Familjarët e izraelitëve të mbajtur peng në Rripin e Gazës protestuan sot para shtëpisë së ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, pranë qytetit jugor Ashkelon, duke i bërë thirrje qeverisë t’i japë përparësi shkëmbimit të të burgosurve përpara zgjerimit të ofensivës ushtarake, raporton Anadolu.

Protesta u mbajt vetëm disa orë pasi Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi planin me faza të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të marrë kontrollin e plotë të Rripit të Gazës, një lëvizje që ka ngritur shqetësime të mëdha tek të afërmit e pengjeve.

“Një pushtim i plotë i Gazës dhe një përshkallëzim i mëtejshëm do të çojë në vrasjen e pengjeve dhe më shumë ushtarëve”, tha Yair, vëllai i pengut Eitan Horn, i cili besohet se mbahet në Gaza.

Sipas gazetës izraelite “Yedioth Ahronoth”, disa demonstrues, përfshirë ish-të burgosur, mbanin fotografi të të afërmve të tyre që ndodhen në duart e Hamasit.

Vlerësimet izraelite sugjerojnë se rreth 50 persona vazhdojnë të mbahen peng në Gaza, nga të cilët rreth 20 besohet se janë ende gjallë. Ndërkohë, mbi 10.800 palestinezë ndodhen në burgjet izraelite, mes raportimeve të shumta për tortura, uritje dhe neglizhencë mjekësore. Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë se dhjetëra palestinezë kanë vdekur në paraburgim që nga fillimi i luftës.

Plani i Netanyahut parashikon në fazën e parë dëbimin e detyruar të afro 1 milion palestinezëve nga Qyteti i Gazës, pasuar nga një rrethim ushtarak dhe operacione bastisjeje. Faza e dytë përfshin marrjen nën kontroll të kampeve të refugjatëve në Gazën qendrore, të cilat tashmë janë goditur rëndë nga bombardimet.

Sipas Kombeve të Bashkuara, Izraeli aktualisht kontrollon 87 për qind të Rripit të Gazës dhe ka lëshuar urdhra evakuimi për shumicën e zonave të mbetura. OKB-ja ka paralajmëruar se çdo zgjerim i mëtejshëm do të ketë “pasoja katastrofike” për popullsinë civile të enklavës.

Izraeli po përballet me zemërim në rritje për shkak të luftës shkatërruese në Gaza, ku më shumë se 61.000 persona janë vrarë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë së përgjithshme.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me luftën në enklavën palestineze.

MARKETING