Franca dënon me “fuqishëm” planin e Izraelit për të pushtuar Gazën

Franca dënoi planin e qeverisë izraelite për të pushtuar Gazën, duke përsëritur kundërshtimin e saj të vendosur ndaj këtij vendimi, transmeton Anadolu.
“Franca e dënon fuqishëm planin e miratuar gjatë natës nga qeveria izraelite për të zgjeruar sërish operacionet ushtarake me qëllim marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës dhe të gjithë Rripit të Gazës”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme franceze.
Deklarata riafirmon “kundërshtimin e palëkundur” të Francës ndaj çdo plani për të pushtuar Gazën dhe për të zhvendosur me forcë popullsinë palestineze, duke theksuar se veprime të tilla do të cojnë në “shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare” dhe do në një “ngërç absolut”.
“Ato do të minonin aspiratat legjitime të palestinezëve për të jetuar në paqe brenda një shteti të zbatueshëm, sovran dhe të pandarë”, thuhet më tej, duke paralajmëruar se ky hap përbën kërcënim për stabilitetin rajonal.
Franca gjithashtu konfirmoi përkushtimin e saj për një zgjidhje me dy shtete, duke theksuar se e ardhmja e Gazës duhet të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez të udhëhequr nga Autoriteti Palestinez.
“Franca do të vazhdojë punën e nisur në New York, në bashkëpunim me partnerët dhe Kombet e Bashkuara, për të vendosur një mision të përkohshëm ndërkombëtar stabilizimi, që synon të garantojë sigurinë si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët. Ajo u bën thirrje partnerëve dhe shteteve të tjera t’i bashkohen këtij përpjekjeje kolektive”, thuhet në deklaratë.
Në një postim në platformën X, ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot gjithashtu e dënoi planin izraelit, duke theksuar:
“Franca e dënon fuqimisht planin e qeverisë izraelite që synon pushtimin e plotë të Gazës. Një operacion i tillë do të përkeqësonte më tej një situatë tashmë katastrofike, pa sjellë lirimin e pengjeve të Hamasit, çarmatimin apo dorëzimin e tij”.