(VIDEO) LSDM dhe VMRO përplasen për koston e jetesës së qytetarëve

(VIDEO) LSDM dhe VMRO përplasen për koston e jetesës së qytetarëve

Të dhënat e fundit të entit statistikor për rritje të shpenzimeve për jetesë në Maqedoninë e Veriut, kanë përplasur sot dy partitë e bllokut maqedonas, VMRO-DPMNE-në qeveritare dhe LSDM-në opozitare. Nga LSDM kanë akuzuar se me VMRO-DPMNE-në çdo muaj i ri është një goditje e re për standardin e jetesës së qytetarëve. Ata thonë se këto shifra janë rezultati i politikave ekonomike krejtësisht të dështuara të Qeverisë së Hristijan Mickoskit.

EMA NESHKOVSKA NGA LSDM

Pothuajse gjithçka është bërë më e shtrenjtë, veçanërisht ushqimet dhe produktet bazë. Jeta po bëhet gjithnjë e më e vështirë, qytetarët kanë gjithnjë e më pak para, mijëra familje në Maqedoni mezi po ia dalin mbanë. Prindërit detyrohen të heqin dorë nga shumë gjëra për të siguruar ushqim për fëmijët e tyre, ata bëjnë llogaritje të përditshme , nëse do të paguajnë faturat apo do të blejnë ushqime bazë. Ndërsa njerëzit mezi po ia dalin mbanë dhe po përballen me çmimet e larta çdo ditë, Kryeministri Mickoski ende po analizon”.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi nga VMRO-DPMNE të cilët thanë se gjatë qeverisjes së LSDM-së, përderisa populli po varfërohej, Venko Filipçe dhe Zoran Zaev u pasuruan dhe ata tani që tani mund të investojnë në Dubai. Ata thanë se qeveria kujdeset për të gjithë.

VMRO DPMNE

Nëse LSDM-ja do të kishte punuar në interes të qytetarëve dhe do të kishte politika të mira ekonomike që do të përmirësonin situatën dhe standardin e jetesës së qytetarëve, inflacioni nuk do të kishte thyer rekorde evropiane dhe botërore gjatë kohës së tyre. LSDM-ja mund të dëshirojë të harrojë, por as ne dhe as qytetarët nuk harrojmë se gjatë qeverisjes së tyre, inflacioni ishte dyshifror dhe kostoja e jetesës rritet çdo ditë”.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave shpenzimet për jetesë në muajin korrik të këtij viti, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, kanë shënuar rritje prej 3,0 %, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 3,9 %. Inflacioni i matur nëpërmjet indeksit të shpenzimeve për jetesë në muajin korrik krahasuar me muajin qershor të vitit 2024 është 0,7%.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING